Nuk ndalet agresioni rus, sërish shpërthime në Zaporizhia/ Të paktën tre të vrarë, Ukraina mohon akuzat për sulmin ndaj centralit bërthamor

16/07/2026 20:19

Të paktën tre persona kanë humbur jetën si pasojë e bombardimeve ruse në qytetin e Zaporizhias, në juglindje të Ukrainës.

Lajmi u konfirmua nga guvernatori rajonal Ivan Fedorov, i cili tha se forcat ruse goditën një zonë të banuar me tre bomba të drejtuara, duke shkaktuar shkatërrimin e disa banesave.

Sipas Fedorovit, ekipet e shpëtimit ndërhynë në rrënojat e ndërtesave të dëmtuara, ndërsa fotografitë e publikuara nga autoritetet lokale tregojnë banesa të përfshira nga flakët dhe operacione kërkim-shpëtimi në zonën e goditur.

Ndërkohë, autoritetet ukrainase hodhën poshtë akuzat e Rusisë se Kievi ishte përgjegjës për sulmin që vrau inxhinierin kryesor të centralit bërthamor të Zaporizhias, i cili ndodhet nën kontrollin e forcave ruse.

Ministria e Jashtme e Ukrainës i cilësoi akuzat si të pabaza, duke deklaruar se nuk ekziston asnjë konfirmim nga burime të pavarura për versionin e paraqitur nga Moska.

Në reagimin e saj, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) dënoi sulmin ndaj personelit të centralit. Drejtori i përgjithshëm i agjencisë, Rafael Grossi, e cilësoi incidentin si një sulm të papranueshëm ndaj një objekti bërthamor dhe një kërcënim serioz për sigurinë bërthamore, duke bërë thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të të gjitha sulmeve ndaj ose pranë centraleve bërthamore dhe stafit të tyre.

Sipas agjencisë shtetërore ruse Rosatom, një dron ukrainas goditi një automjet shërbimi midis centralit bërthamor të Zaporizhias dhe qytetit të Enerhodarit, duke vrarë inxhinierin kryesor Alexander Yakovlev dhe drejtuesin e automjetit. Rusia ia atribuon përgjegjësinë Ukrainës, ndërsa Kievi i mohon kategorikisht këto pretendime.

Top Channel