Të tjera shpërthime në jug të Iranit/ SHBA vijon për të pestën natë radhazi sulmet ndaj objektivave iraniane, Levitt: Shkelën memorandumin e mirëkuptimit
Një 18-vjeçar në Britani është dënuar me tre vjet burg pasi përplasi me makinë një këmbësor 84-vjeçar, e la të plagosur rëndë dhe u largua nga vendi i aksidentit pa i ofruar ndihmë.
Pas ngjarjes, i riu u kthye në shtëpi, porositi pica dhe u dërgoi mesazhe zanore miqve, ku pranonte se mund të kishte goditur për vdekje një person.
Gjykata e Kurorës në Durham shpalli fajtor Sonny Horsfall për shkaktimin e lëndimeve të rënda me drejtim të rrezikshëm të automjetit, drejtim pa leje, pa siguracion dhe largim nga vendi i aksidentit. Përveç dënimit me burg, gjykata i ndaloi drejtimin e automjeteve për katër vjet.
Aksidenti ndodhi mbrëmjen e 22 prillit në Redcar, North Yorkshire. Sipas hetimeve, Horsfall humbi kontrollin e një automjeti Audi A4 të sapoblerë, doli në trotuar dhe goditi 84-vjeçarin Eddie, i cili po kthehej në shtëpi.
Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë momentin kur automjeti del nga rruga dhe përplas këmbësorin, ndërsa drejtuesi largohet menjëherë nga vendi i ngjarjes. Prokuroria bëri të ditur se i riu nuk kishte patentë, ishte i skualifikuar nga drejtimi i automjetit dhe makina nuk ishte e siguruar.
Hetimet zbuluan gjithashtu video të regjistruara në telefonin e tij, ku ai shihej duke drejtuar me shpejtësi të lartë, duke kryer parakalime të rrezikshme dhe duke kaluar semaforët me dritë të kuqe.
Në një prej videove ai dëgjohet duke thënë: “Sapo e bleva këtë bishë”, ndërsa në një tjetër shprehet: “Në djall me dritën e kuqe.”
Dy orë pas aksidentit, Horsfall i dërgoi një miku mesazhe zanore përmes Snapchat-it, ku tha: “Nuk e di çfarë godita… po ha pica”, ndërsa në një tjetër pranoi se mendonte se mund të kishte goditur rëndë ose vrarë një person.
Si pasojë e përplasjes, 84-vjeçari pësoi fraktura të shumta në legen, shpinë dhe këmbën e djathtë. Ai kaloi disa ditë në kujdes intensiv dhe, edhe pas operacionit, vazhdon të ketë vështirësi të mëdha në lëvizje, duke përdorur ndihmëse për ecje dhe duke vuajtur nga dhimbje të vazhdueshme.
Top Channel