“Nuk po synoj përçarje”, Spiropali dorëzon në Asamble mocionin për hapjen e debatit kombëtar për “Marrëveshjen e re për Shqipërinë”: E mbajta premtimin ndaj kryeministrit

16/07/2026 10:34

Ish-ministrja Elisa Spiropali ka deklaruar para hyrjes në seancën e sotme plenare të Kuvendit se ka dorëzuar në Asamblenë e Partisë Socialiste mocionin për hapjen e debatit për një marrëveshje të re për Shqipërinë.

E pyetur nga gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, Spiropali tha se ka mbajtur premtimin e dhënë dhe se dokumenti i është drejtuar kryetarit të PS-së, Edi Rama, Asamblesë dhe të gjithë anëtarëve të partisë, duke theksuar se ai do të jetë i hapur edhe për publikun.

Sipas saj, nisma nuk synon krijimin e një fraksioni apo përçarje brenda PS-së, por një proces diskutimi dhe bashkimi të energjive brenda partisë dhe shoqërisë shqiptare.

Duke folur për përmbajtjen e mocionit, Spiropali u shpreh se ai lidhet me kërkesën për më shumë përfaqësim, demokraci, drejtësi sociale dhe një marrëdhënie më të drejtë mes shtetit dhe qytetarëve. Ajo shtoi se drejtësia mbetet një nga çështjet kryesore të trajtuara në dokument.

“E mbajta premtimin sot dhe sapo dorëzova në Asamblenë e Partisë Socialiste mocionin për hapjen e debatit për marrëveshjen e re për Shqipërinë. Nga ana ime premtimi u mbajt dhe iu përgjigja thirrjes së kryetarit. Nuk është vetëm një dokument i imi, është i hapur për të gjithë anëtarët e PS, ia kam drejtuar kryetarit dhe kryeministrit, asamblesë dhe çdo anëtari.

Do të jetë i hapur edhe për publikun, sepse një marrëveshje për Shqipërinë nuk mund të hartohet nga një, dy apo dhjetë individë, por duhet të shprehë shumicën, jo vetëm të anëtarësisë, por edhe të popullit shqiptar, që në këtë moment kërkon më shumë përfaqësim, demokraci, drejtësi shoqërore dhe një marrëdhënie të drejtë mes shtetit dhe qytetarit, si dhe një model ekonomik të denjë. Populli pret më shumë nga ne dhe kam besimin se PS ka energjinë e duhur për t’iu përgjigjur kësaj kërkese.

Nuk është përpjekje për fraksion, ndarje apo përçarje, është përpjekje për bashkim të të gjithë energjive progresiste të PS dhe shoqërisë shqiptare. Duhet t’i përgjigjemi qytetarëve jo me arrogancë, por me përgjegjësi, duke i kanalizuar në rrugë institucionale kërkesat e tyre. Për të tjerat do të keni mundësi të shihni dokumentin. Edhe drejtësia është pjesë, sepse është çështje kryesore. Ka qenë krenaria jonë drejtësia dhe sigurisht do të vazhdojë të jetë”, u shpreh Spiropali.

Top Channel