Zjarret shkatërruese në pyjet e Francës, zjarrfikësi vullnetar në telashe, dyshohet se ishte shkaktari i nisjes së flakëve

16/07/2026 16:23

Një zjarrfikës vullnetar 18-vjeçar është vënë nën hetim formal në Francë, pasi dyshohet se ka shkaktuar zjarrin e madh në pyllin Fontainebleau, në jug të Parisit.

Zjarri ka djegur mbi 2,000 hektarë pyll, ka detyruar evakuimin e rreth 1,000 banorëve dhe ka shkaktuar mbylljen e pjesshme të autostradës kryesore veri-jug të vendit.

Sipas prokurores Diane Ngomsik, i riu fillimisht kishte deklaruar se kishte ndezur degë me çakmak dhe benzinë, por më vonë e tërhoqi rrëfimin. Në lidhje me të njëjtën ngjarje është vënë nën hetim edhe një 18-vjeçar tjetër. Kjo fazë e procedurës penale franceze mund të çojë në ngritjen e akuzave formale dhe zhvillimin e një gjyqi.

Megjithëse flakët janë vënë nën kontroll, autoritetet bëjnë të ditur se zjarri ende nuk është shuar plotësisht. Gjatë vizitës në zonën e prekur, presidenti Emmanuel Macron deklaroi se nuk do të ketë asnjë tolerancë ndaj zjarrvënësve dhe vlerësoi punën e zjarrfikësve, duke theksuar se deri tani nuk është regjistruar asnjë viktimë. Sipas tij, rreth 10% e pyllit Fontainebleau është djegur.

Pylli i Fontainebleau, ku ndodhet edhe Pallati dhe Parku i Fontainebleau, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që nga viti 1981, është një nga zonat natyrore dhe historike më të rëndësishme të Francës.

Autoritetet franceze raportojnë se që nga fillimi i vitit janë regjistruar afro 11,000 zjarre në të gjithë vendin. Franca, ashtu si shumë vende të tjera evropiane, është përballur me temperatura të larta dhe valë të pazakonta të të nxehtit.

Sipas shërbimit klimatik Copernicus, Evropa është kontinenti që po ngrohet më shpejt në botë, me ritëm rreth dy herë më të lartë se mesatarja globale. Rritja e temperaturave po favorizon valë më intensive të të nxehtit, presion mbi burimet ujore dhe shtim të zjarreve pyjore.

Zjarre të mëdha janë regjistruar këtë verë edhe në Spanjë, ku kanë humbur jetën të paktën 13 persona, si dhe në Skocinë verilindore, ku zjarrfikësit po luftojnë për të vënë nën kontroll një zjarr të përhapur në Parkun Kombëtar Cairngorms.

Top Channel