Tragjedia që shkaktoi vdekjen e 43 personave, zyrtarët italianë dënohen me burg për shembjen e urës Morandi në Itali

16/07/2026 17:34

Gjykata në Xhenova ka dënuar ish-drejtorin ekzekutiv të Autostrade per l’Italia (Aspi), Giovanni Castellucci, me 12 vjet burg për përgjegjësinë në shembjen e urës Morandi në gusht të vitit 2018, tragjedi që shkaktoi vdekjen e 43 personave. Vendimi u prit me emocione nga familjarët e viktimave, të cilët u përqafuan pasi u shpallën dënimet.

Castellucci ishte një nga 57 të pandehurit në procesin gjyqësor. Edhe pse prokurorët kishin kërkuar një dënim më të rëndë, gjykata vendosi 12 vjet burg. Ish-zyrtari i lartë i kompanisë, Michele Donferri Mitelli, u dënua me 11 vjet burg, ndërsa ish-zëvendësi i Castellucci-t, Paolo Berti, mori një dënim prej pesë vjet e gjysmë.

Dënime me pesë vjet e gjysmë burg u dhanë edhe për ish-drejtorin ekzekutiv të kompanisë së mirëmbajtjes Spea, Antonino Galatà, si dhe pesë vjet burg për Mauro Coletta, ish-zyrtarin e lartë të Ministrisë së Transportit përgjegjës për mbikëqyrjen e autostradave.

Shembja e urës Morandi ndodhi më 14 gusht 2018, gjatë një stuhie shiu dhe në kulmin e sezonit turistik. Një pjesë e viaduktit u shemb papritur, duke bërë që dhjetëra automjete dhe kamionë të binin nga lartësia, ndërsa 43 persona humbën jetën.

Prokuroria argumentoi se tragjedia ishte pasojë e mosmirëmbajtjes së vazhdueshme të urës dhe neglizhencës në trajtimin e shenjave paralajmëruese për gjendjen e strukturës.

Në anën tjetër, mbrojtja pretendoi se katastrofa u shkaktua nga mangësi në projektimin fillestar të urës dhe nga mënyra e ndërtimit të kabllove mbajtëse të saj.

Familjarët e viktimave e mirëpritën vendimin e gjykatës. Emmanuel Diaz, i cili humbi vëllanë në tragjedi, u shpreh se ishte “shumë i kënaqur” me dënimet, ndërsa Egle Possetti, e cila humbi disa anëtarë të familjes, e cilësoi dënimin me 12 vjet ndaj Castellucci-t si “të pranueshëm”.

Në prag të vendimit, drejtori aktual i Aspi-t, Arrigo Giana, kërkoi falje publike në emër të kompanisë, duke pranuar se “veprimet dhe vendimet e disa njerëzve lanë plagë të pashlyeshme”. Megjithatë, disa familjarë të viktimave e konsideruan këtë kërkimfalje të vonuar dhe jo të sinqertë. Cesare Cerulli, i cili humbi të atin në tragjedi, e cilësoi atë si “lot krokodili”, duke akuzuar drejtuesit e kompanisë për mungesë ndjeshmërie dhe përgjegjësie.

Top Channel