Irani kërcënon SHBA-në: Do të shkatërrojmë infrastrukturën e rajonit nëse Trump sulmon

16/07/2026 10:04

Irani ka kërcënuar se do të godasë infrastrukturën në të gjithë rajonin, nëse Presidenti amerikan Donald Trump zbaton paralajmërimet për sulme ndaj infrastrukturës iraniane.

Zëdhënësi i komandës qendrore të ushtrisë iraniane, Ebrahim Zolfaghari, deklaroi se përgjigjja e Teheranit nuk do të jetë vetëm proporcionale, por “më e fuqishme”, në rast të një sulmi amerikan.

Deklarata e tij vjen pasi Trump paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara mund të godasin ura dhe termocentrale në Iran javën e ardhshme, nëse Teherani nuk rikthehet në negociata.

Sipas Zolfagharit, çdo sulm amerikan do të pasohet nga kundërpërgjigje “më të ashpra, më të gjera dhe më shkatërruese se më parë”.

Ai gjithashtu paralajmëroi se Irani nuk do të lejojë në asnjë rrethanë ndërhyrjen e SHBA-së në Ngushticën e Hormuzit, duke e cilësuar atë si “vijën e kuqe të pathyeshme” të Teheranit.

Deklaratat vijnë në një kohë kur tensionet mes Iranit dhe SHBA-së janë rritur ndjeshëm, me shqetësime për një përshkallëzim të mëtejshëm ushtarak në Lindjen e Mesme.

Top Channel