“Më vjen mirë që SPAK nuk është i pëlqyeshëm nga politika”, Braho: Kjo do të thotë se po e bën punën mirë

15/07/2026 13:25

Kreu i SPAK, Klodian Braho, deklaroi se nuk ka të dhëna apo raporte ndërkombëtare që tregojnë një rënie të punës së Prokurorisë së Posaçme në luftën kundër korrupsionit.

Gjatë raportimit në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Braho u shpreh se hetimet për pasuritë e zyrtarëve të akuzuar për korrupsion kryhen në përputhje me ligjin dhe metodologjinë përkatëse.

“Nuk dimë një raport ndërkombëtar që të thotë se puna e SPAK në lidhje me korrupsionin ka rënë. Sa i përket pasurive të zyrtarëve të akuzuar për korrupsion, në çdo rast hetuesit sipas ligjit dhe metodologjisë së miratuar duhet të kërkojnë në çdo hetim pasuritë që vijnë nga produkti, ato që vijnë nga aktiviteti i paligjshëm dhe jo vetëm. Në çdo rast kryhen hetime”, deklaroi Braho.

I pyetur për publikimin e informacioneve nga dosjet hetimore në media, kreu i SPAK theksoi se nxjerrja e të dhënave të tilla është përgjegjësi penale për personat që i publikojnë.

“Sa i përket publikimit të dosjeve në media, kushdo që nxjerr informacione mban përgjegjësi penale. Në këtë periudhë që unë drejtoj nuk ka ndonjë rast të tillë, pa pasur disa raste në të shkuarën, por nuk mund të jap më shumë detaje”, tha ai.

I pyetur nga deputeti Klevis Balliu në lidhje me deklaratat e kryeministrit Edi Rama kundër SPAK, Braho i cilësoi ato pjesë të debatit politik dhe theksoi se institucioni duhet të veprojë vetëm mbi bazën e ligjit.

“Deklaratat politike janë retorikë politike. Më vjen mirë ndonjëherë që SPAK nuk është i pëlqyeshëm nga asnjëri krah, sepse do të thotë se po e bën punën mirë”, u shpreh Braho.

I pyetur se përse nuk thirret Rama në SPAK për çështje të caktuara, sipas tij, thirrja e një personi në SPAK nuk bëhet mbi bazën e pritshmërive politike apo publike, por vetëm kur kjo kërkohet nga nevojat e hetimit.

“Thirrja e një personi në SPAK nuk merret në bazë të pritshmërive, por për nevojat e hetimeve dhe prokurori e di mirë se kush duhet të pyetet. Në rastet kur ka prova, askush nuk është imun ndaj hetimit”, përfundoi kreu i SPAK.

Top Channel