Negociatat për Kapitulli 27, komisionerja Kos: Shfuqizoni ligjet e Investimeve Strategjike dhe Zonat e Mbrojtura, protestat pjesë e proceseve demokratike

14/07/2026 20:55

Shqipëria ka hedhur sot një tjetër hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian.

Komisionerja Marta Kos gjatë Konferencës Ndërqeveritare në Bruksel është shprehur se edhe para protestave në Shqipëri për investimin në Zvërnec, ishte diskutuar anulimi i ligjit për Investimet Strategjike dhe atë për Zonat e Mbrojtura.

“Ne nuk e shohim rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së në rrezik. Prova e sotme është që kemi mbyllur 3 kapituj. Lidhur me projektin specifik, mbrojtja mjedisore është pjesë e kritereve të anëtarësimit në BE dhe aktualisht ka një sërë ligjesh që duhen ndryshuar për të përmbushur këtë kriter. Edhe përpara se të nisnin këto protesta kishim rënë dakord me Shqipërinë që gjatë këtij viti do të shfuqizoheshin amendamentet e vitit 2024 për zonat e Mbrojtura, gjithashtu do të shfuqizohej ligji për investimet strategjike dhe këto ndryshimet do të duheshin bërë për të mbyllur negociatat për kapitullin 27 që ka të bëjë me mjedisin dhe ndryshimin e klimës dhe do të inkurajoja autoritetet siç dëgjova që do ta bëjnë këtë gjë sa më shpejt të jetë e mundur. E dimë që kjo është një çështje shumë e rëndësishme në debatin publik shqiptar”, u shpreh Kos.

Kos shtoi se protestat janë pjesë e proceseve demokratike, duke theksuar se Shqipëria duhet të harmonizojë legjislacionin për të cilin ka rënë dakord me BE-në.

“Protestat janë pjesë e proceseve më të gjera demokratike dhe mënyra se si vendet i trajtojnë këto protesta janë pjesë thelbësore e proceseve pluraliste demokratike. Inkurajoj që qeveria shqiptare të marrë hapa përpara, të trajtojë shqetësimet e qytetarëve. Procesi i anëtarësimit është në vazhdimësi. Kapitulli 27 është është ndër kapitujt më kërkues kështu që jo vetëm për shkak të kësaj proteste, por më së shumti që Shqipëria duhet të harmonizojë legjislacionin të cilin kemi rënë dakord kur çelem grup kapitujt. Jemi të sigurtë që asgjë nuk do të ndodhë në këtë fushë që nuk do të jetë e harmonizuar me legjislacionin e BE-së”, shtoi komisionerja.

Top Channel