Atentati te mbikalimi i Shkozetit/ Procesi ndaj Amar Shkëmbit dhe Bledar Polovinës, mbrojtja kërkon pavlefshmëri të provave

14/07/2026 10:37

Vijon procesi gjyqësor ndaj Amar Shkëmbit dhe Bledar Polovinës, të akuzuar për përfshirje në atentatin e ndodhur te mbikalimi i Shkozetit ndaj ish-prokurorit Arjan Ndojit.

Sipas SPAK, Bledar Polovina ka qenë personi që ka qëlluar i dyti gjatë atentatit. Në seancën e radhës, avokati mbrojtës Saimir Visha kërkoi shpalljen e pavlefshme dhe të papërdorshme të procesverbaleve të administruara në dosje.

Gazetarja Anila Hoxha raporton se gjykata e rrëzoi këtë kërkesë, duke argumentuar se ishte shprehur më herët gjatë seancës paraprake dhe e kishte gjetur të pabazuar. Ndërkohë, gjykata pranoi kërkesën e mbrojtjes për pyetjen e Halit Valterit.

Gjatë seancës pati debate edhe për komunikimet në platformën Sky ECC. Avokatët pretenduan se ka mospërputhje në të dhënat e administruara, ndërsa SPAK deklaroi se komunikimet janë të plota për pjesën që lidhet me episodin e atentatit.

Sipas akuzës, Amar Shkëmbi ka sugjeruar vende ku mund të kryhej vrasja e Rrumit. Për mënyrën e identifikimit, mbrojtja pretendon se SPAK ka identifikuar tre kode që mund të jenë përdorur nga Shkëmbi, por në dispozicion i janë vënë vetëm të dhënat e njërit prej tyre. Avokati kërkon të dijë përmbajtjen e dy kodeve të tjera.

SPAK sqaroi se këto të dhëna lidhen me trafikun e drogës, për të cilin Shkambi po gjykohet.

Si ndodhi ngjarja?

Në atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj, humbi jetën shoferi i tij, Andi Maloku. Ngjarja ka ndodhur më 1 nëntor të vitit 2019, në autostradën Tiranë-Durrës, pranë mbikalimit të Shkozetit. Në momentin e sulmit, ish-prokurori Arjan Ndoja udhëtonte në një automjet tip “Benz” së bashku me Aleksandër Lahon, i njohur edhe me emrin Pëllumb Muharremi dhe me nofkën “Rrumi i Shijakut”, si dhe shoferin e tij, Andi Maloku, ish-efektiv i Policisë së Shtetit.

Automjeti u qëllua me breshëri automatiku nga një makinë tjetër në lëvizje. Si pasojë e të shtënave, automjeti doli nga rruga, ndërsa tre personat u transportuan me një automjet privat drejt spitalit.

Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, Andi Maloku, 24 vjeç, ndërroi jetë në spital si pasojë e një plumbi të marrë në gjoks. Ish-prokurori Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho mbetën të plagosur dhe i mbijetuan atentatit.

 

Top Channel