“Edhe në trazirat e ’97-ës nuk u prek”, drejtoresha e Teatrit të Kukullave publikon pamjet e dëmtimeve nga protesta: Kjo godinë është parlamenti i parë shqiptar

29/11/2026 12:38

Drejtoresha e Teatrit Kombëtar të Kukullave, Melsi Qirici, ka reaguar pas dëmtimeve të godinës historike gjatë protestës së djeshme, duke publikuar edhe pamje të xhamave të thyer.

Qirici shprehet se godina, e cila ka shërbyer si Parlamenti i parë Shqiptar dhe është Monument Kulture i Kategorisë së Parë, nuk ishte dëmtuar as në trazirat e vitit 1997. Ajo u ka bërë thirrje protestuesve të mos e prekin teatrin, ndërsa ka theksuar se stafi do të punojë për rikthimin e tij në normalitet.

“Teatri kombëtar i Kukullave, ish-Parlamenti i parë Shqiptar është godinë historike, Monument Kulture i Kategorisë së Parë që ruhet nga shteti shqiptar. Sipas dokumentave zyrtare rezulton të jetë ndërtuar në vitin 1924. Në vitet ’60 e në vijim ka filluar funksionin si teatër kukullash për fëmijë.

Godina ka pësuar ndërtime e rindërtime, pas goditjeve të tërmetit dhe ezaurimeve të kohës, lagështirës e fatkeqësive natyrore. Po asnjëherë më parë teatri nuk është dëmtuar nga dora e njeriut. Protagonistë të kohës, aktorë e punonjës të teatrit kombëtar të kukullave vlerësuar me Urdhrin ‘Naim Frashëri i Artë’ rrëfejnë se as në trazirat e ’97-ës teatri nuk është prekur një fije. Aktorët e kanë gdhirë duke mos lejuar askënd të hyjë.

Pas restaurimit final dhe rijetëzimit në dhjetor 2024, me fonde të BE-së, në kuadër të programit EU4Culture dhe me zbatues UNOPS, teatri u rikthehet fëmijëve me kushte moderne dhe kapacitet të ri krijues e prodhues.

Jemi kujdesur si staf që të mos ngulet asnjë gozhdë dhe mos dëmtohet asnjë centimetër mur, pavarësisht se shfaqjet e sotme kanë kërkesa teknologjie e logjistika të reja. Ne e ruajmë teatrin si shtëpinë tonë.

Dje, historia u përsërit! Bashkë me stafin kemi qenë brenda në teatër të ngujuar nga tymi, gazi dhe shishet plastike me benzinë që hidheshin drejt teatrit. Disa prej nesh u asfiksuan, por nuk luajtëm nga teatri, derisa mbaroi çmenduria e radhës.

Sot e çdo ditë, do jemi sërish aty, për të riparuar çdo dëm dhe për të rikthyer shfaqjet dhe jetën e vogëlushëve tanë në normalitet.

U bëjmë thirrje gjithë protestuesve: Ju lutem mos e prekni teatrin! Na takon neve si qytetarë shqiptarë ta mbrojmë dhe ta duam: shkatërrimi sjell shkatërrim!

Zemërimi me objektet nuk sjell ndryshim, prodhon vetëm urrejtje.

‘Mos e prekni teatrin, është parlamenti i parë shqiptar’, ishte thirrja e një djali veshur me flamur, i vetmi mes protestuesve që dje foli në emrin tonë. Faleminderit, kushdo të jesh! U dëgjoftë zëri yt dhe le të shpresojmë që kjo të jetë e fundit”, shkruan Qirici.

Postimi i Qiricit (Kliko)

 

Top Channel