Fiks Fare/ “Nuk ka reagentë”, 36 mijë banorët e Vorës nuk bëjnë dot analizat e gjakut në Qendrën Shëndetësore
Ka vende që nuk i viziton rastësisht. Nuk janë buzë autostradës, nuk kanë tabela gjigante dhe nuk të shfaqen çdo ditë në rrjetet sociale. Për t’i gjetur duhet t’i kërkosh, madje ndonjëherë edhe të këmbëngulësh.
Një prej tyre është Manastiri i Shën Marenës, një nga monumentet më të veçanta të trashëgimisë kulturore dhe fetare në zonën e Pogradecit. Rreth dy orë larg qytetit, në fund të një rruge të dëmtuar dhe pa sinjalistikë, ndodhet një vend ku koha duket sikur ka vendosur të ecë më ngadalë.

Gjatë udhëtimit nuk mungojnë momentet kur pyet veten nëse ia vlejti të vije deri këtu. Gropat janë të shumta, sinjali i telefonit humbet herë pas here dhe automjeti avancon me vështirësi. Por sapo shfaqen muret e manastirit, lodhja fillon të zbehet. Heshtja e këtij vendi zë vendin e zhurmës së rrugës.
Kisha, e ndërtuar rreth shekullit XVIII, ruan ende afresket e ikonografit të njohur Konstandin Shpataraku, një prej emrave më të rëndësishëm të artit kishtar shqiptar. Muret e saj mbajnë gjurmët e historisë, ndërsa çdo detaj dëshmon për vlerat e rralla artistike dhe shpirtërore të këtij monumenti.

Brenda kishës grupin e xhirimit e pret prifti Athanasios Prifti, i cili prej vitesh kujdeset për këtë vend.”Festa e Shën Marenës kremtohet më 17 korrik sipas kalendarit të ri dhe më 30 korrik sipas kalendarit të vjetër. Ne i festojmë të dyja,” thotë ai.
Në ato ditë, oborri mbushet me besimtarë nga Pogradeci, Korça, Librazhdi dhe fshatrat përreth. Disa ndezin qirinj, të tjerë marrin pjesë në meshë, ndërsa shumë zgjedhin të qëndrojnë për pak çaste në heshtjen që ofron ky vend. Por mes historive të bukura, manastiri mbart edhe plagët e tij. “Ky është tavani origjinal,” thotë prifti me krenari. Më pas shton me keqardhje “Ikonostasi është vjedhur.”

Një fjali e shkurtër që tregon sa e brishtë mbetet trashëgimia kulturore shqiptare. Kur humbet një pjesë e një monumenti të tillë, humbet edhe një pjesë e kujtesës sonë kolektive.
Për fat, afresket murale kanë mbetur pothuajse të paprekura. Specialistët e trashëgimisë kulturore kanë kryer inspektimet dhe po përgatisin ndërhyrjet restauruese, në mënyrë që koha të mos dëmtojë atë që ka mbijetuar për më shumë se dy shekuj.

Një nga elementët më të veçantë të kishës janë dy djepët prej druri, të cilët lidhen me një traditë që vazhdon edhe sot.
“Prindërit sjellin këtu fëmijët e vegjël të sëmurë dhe i përkundin në djep. Vijnë edhe gra që nuk kanë fëmijë. Luten dhe tundin djepin,” shpjegon prifti.

Për besimtarët, ky është një vend lutjeje dhe shprese. Për vizitorët, një pjesë e historisë që vazhdon të jetojë.
Historia e Shën Marenës është po aq e veçantë sa vetë manastiri. Sipas traditës, ajo refuzoi martesën që i ishte imponuar dhe për këtë u dënua nga i ati. Episodet kryesore të jetës së saj janë pikturuar në afresket që zbukurojnë muret e kishës.

Në oborr ndodhen edhe konakët e manastirit, të ndërtuar në vitin 1925 nga prifti i Llëngës, Dhimitër Kokonozi, i cili më vonë u bë dhespot me emrin Damian Kokoneshi.

Në vitin 2023, një zjarr dëmtoi një pjesë të tyre. Sipas drejtoreshës së Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Korçë, Amarda Cici, projekti i restaurimit është miratuar dhe ndërhyrja do të shtrihet në të gjithë kompleksin.
Një tjetër problem është mungesa e sigurisë. “Nuk kemi roje. Kërkojmë vazhdimisht, por nuk vjen askush, edhe me pagesë.” Megjithatë, sfida më e madhe mbetet rruga.”Kryesorja është rruga,” thotë prifti pa hezitim.

Ndërsa Fiksi ndodhet në oborr, mbërrin një familje nga Kreta. Kanë udhëtuar qindra kilometra vetëm për të vizituar këtë manastir.
Është një skenë që të bën të reflektosh. Shpesh ndodh që vlerat tona t’i vlerësojnë më shpejt ata që vijnë nga larg sesa ne që i kemi pranë.

Në largim, pas mbetet një manastir që ka përballuar pushtime, grabitje, zjarr dhe mungesë investimesh, por vazhdon të qëndrojë në këmbë. Sepse ndonjëherë, vendet më të çmuara nuk janë ato ku të çon rruga më e lehtë, por ato për të cilat ia vlen çdo kilometër.

Top Channel