Halle Berry humbet përkohësisht kujdestarinë e djalit, ish-bashkëshorti e akuzon për abuzim fizik
Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me pilotin që dyshohet se sulmoi kapitenin e një fluturimi të Flydubai nga Dubai drejt Tel Avivit, duke shkaktuar një situatë kritike në ajër.
I dyshuari është identifikuar si shtetasi omanian Hamam al-Hammami. Sipas CNN, dy burime të njohura me çështjen thanë se ai ishte larguar në vitin 2025 nga një pozicion që lidhej me trajnimin e fluturimit në Oman Air, pas shqetësimeve për pikëpamjet e tij të dyshuara ekstremiste. Më pas, sipas njërit prej burimeve, ai ishte transferuar në një pozicion tjetër brenda kompanisë.
Al-Hammami kishte punuar në Oman Air për rreth shtatë vjet, ndërsa më vonë kishte kaluar për një periudhë të shkurtër në Royal Air Maroc, përpara se të punësohej në Flydubai. Sipas një zyrtari izraelit, ai kishte punuar në Flydubai vetëm për rreth tetë muaj.
🚨 BREAKING: The terrorist FlyDubai co-pilot has reportedly been identified as Hamam Alhamami. https://t.co/TRiNnVqeTS
— Israel War Room (@IsraelWarRoom) October 2, 2026
Të dhënat e reja kanë ngritur pikëpyetje mbi kontrollet e sigurisë që paraprinë punësimin e tij në kompaninë ajrore.
Në qendër të hetimit janë edhe dy postime që u shfaqën në profilin e tij në LinkedIn disa orë pas incidentit. Nuk është e qartë nëse postimet janë bërë nga vetë al-Hammami apo nëse ishin përgatitur më herët.
Njëri prej tyre përmbante video të regjistruara nga kabinat e avionëve Boeing 737 MAX, ku shfaqeshin edhe avionë të kompanive izraelite El Al dhe Arkia.
Videot përfundonin me imazhe të Ayman al-Zawahirit, ish-udhëheqësit të al-Kaedës pas Osama bin Ladenit, si dhe Humam Khalil Abu Mulal al-Balawit, autorit të një sulmi vetëvrasës në vitin 2009 në Afganistan.
Një tjetër postim përmbante një imazh të krijuar me inteligjencë artificiale, ku paraqiteshin Meka, Medina dhe Jerusalemi, të lidhura nga një vijë e ndritshme. Edhe llogaria përkatëse në Instagram, me të njëjtin emër dhe fotografi, është fshirë.
Sulmi në kabinën e pilotëve
Incidenti ndodhi më 30 shtator, gjatë fluturimit FZ1073 të Flydubai nga Dubai drejt Tel Avivit, me 174 persona në bord. Sipas hetimeve paraprake, bashkëpiloti dyshohet se sulmoi dhe plagosi kapitenin Smit Machchhar dhe më pas tentoi të ndërhynte në kontrollin e avionit.
Avioni pësoi një rënie të menjëhershme prej më shumë se 16 mijë këmbësh, ndërsa kapiteni, megjithëse i plagosur, arriti të hapte derën e kabinës. Pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit ndërhynë për të neutralizuar të dyshuarin, ndërsa pilotë rezervë morën kontrollin e avionit.
Fluturimi u devijua drejt Arabisë Saudite dhe u ul në aeroportin e Tabukut. Kapiteni i plagosur u dërgua për trajtim mjekësor.
Hetimi për lidhje të mundshme terroriste
Emiratet e Bashkuara Arabe kanë nisur një hetim për të përcaktuar nëse sulmi kishte lidhje me terrorizmin ose nëse ishte planifikuar paraprakisht. I dyshuari fillimisht u ndalua në Arabinë Saudite dhe më pas u transferua në Emirate, ku po vijon hetimi.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se i dyshuari ishte radikalizuar nga ideologjia islamiste. Megjithatë, hetuesit nuk kanë bërë ende publik një motiv përfundimtar dhe po shqyrtojnë të gjitha rrethanat e incidentit.
Top Channel