Dyshohet se u vodhën 3 milionë euro/ Shkarkohet drejtoresha e Postës në Durrës, kallëzohet në Prokurori për abuzime me fondet

14/07/2026 13:32

Kontrollet e brendshme në filialin e Postës Shqiptare në Durrës kanë zbuluar abuzime në administrimin e fondeve, duke sjellë shkarkimin e drejtoreshës Elisabeta Mataj dhe referimin e çështjes në Prokurori.

Posta Shqiptare ka kërkuar hetim të plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave përgjegjës, ndërsa për të njëjtën çështje janë depozituar tre kallëzime penale nga palët e përfshira. Kallëzimi i parë është bërë nga vetë Posta Shqiptare ndaj drejtoreshës së filialit, shefes së financës, arkëtares dhe punonjësve të tjerë, pas konstatimeve të kontrollit të kryer nga strukturat e institucionit.

Shefja e financës, Valbona Duni, e cila ka dhënë dorëheqjen në fillim të mujit, ka bërë gjithashtu një kallëzim penal ndaj drejtoreshës Elisabeta Mataj, me profesion juriste, duke e denoncuar për përvetësim të shumave të mëdha nga fondet e postës.

Sipas të dhënave të siguruara nga Top Channel, në një prej kallëzimeve pretendohet se vetëm gjatë muajve prill dhe maj janë tërhequr nga arka e filialit rreth 69 milionë lekë ose rreth 700 mijë euro, të destinuara kryesisht për degët e Shijakut dhe Krujës, përfshirë fondet për ndihmën ekonomike, invaliditetin dhe transportin e mësuesve dhe nxënësve. Këto para dyshohet se nuk kanë përfunduar në destinacion.

Nga ana tjetër, Elisabeta Mataj ka depozituar një kallëzim penal ndaj shefes së financës dhe arkëtares, duke i akuzuar për vjedhje përmes shpërdorimit të detyrës dhe falsifikim dokumentesh. Ajo ka kërkuar dhe hetim të dokumentacionit financiar të paktën dy vitet e fundit. Sipas burimeve, dëmi ekonomik i dyshuar mund të arrijë në rreth 3 milionë euro, por do të jetë hetimi i Prokurorisë ai që do të përcaktojë përgjegjësitë konkrete. Pritet që tre kallëzimet penale të bashkohen në një dosje të vetme për të zbardhur të gjitha rrethanat e çështjes.

Top Channel