Exclusive/ “Kadare do arrestohej si pjesë e komplotit të Mehmet Shehut”, rrëfimi i ish-kreut të Hetuesisë, Qemal Lame: I shkova Enver Hoxhës në zyrë dhe ai… mbrojti veten

12/07/2026 23:05

Historia e diktaturës shqiptare mbetet ende e mbushur me pyetje pa përgjigje, ndërsa ish-zyrtarë të regjimit përballen me kërkesën për të dhënë llogari për rolin që kanë pasur në një aparat shtetëror të ndërtuar mbi kontrollin, frikën dhe ndëshkimin politik.

Në këtë panoramë rikthehet në vëmendje figura e Qemal Lames, ish-kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme të Shqipërisë gjatë viteve 1982–1992, një nga institucionet më të rëndësishme të sistemit represiv komunist. Në një intervistë për programin “Exclusive” në Top Channel, Lame rrëfen periudhën e fundit të regjimit, marrëdhëniet me figurat më të njohura të kohës dhe pretendon se në disa raste ka ndërhyrë për të zbutur vendime të marra nga udhëheqja komuniste.

Një nga episodet më të bujshme të rrëfimit të tij lidhet me shkrimtarin Ismail Kadare. Lame pretendon se Kadare ishte nën presion të vazhdueshëm nga Sigurimi i Shtetit dhe se kishte pasur tentativa për arrestimin e tij. Sipas tij, ai kishte kërkuar ta takonte shkrimtarin për t’i dhënë mbështetje dhe madje pretendon se ka ndërhyrë drejtpërdrejt te Enver Hoxha për të ndalur një goditje ndaj Kadaresë.

Në një bisedë për “Exclusive” me Monika Stafën, ai e portretizon veten si një jurist që u përpoq të zbatonte ligjin dhe të zbuste urdhrat ekstremë të Byrosë Politike madje duke pretenduar se pengoi arrestimin e shkrimtarit Ismail Kadare. Në pozicionin e një analisti apo vëzhguesi të historisë, ai rrëfen sekretet e regjimit, por pa pranuar fajësinë personale për dëmet e shkaktuara.

Pjesë nga intervista-

Monika Stafa: Tani do të flasim për një figurë shumë të dashur emblematike shqiptare. Ju flisni për një takim të parealizuar me Ismail Kadarenë. Çfarë ndodhi me Kadarenë? Pse ju dha urdhri juve që të arrestohej ai?

Qemal Lame: Ismailin unë e kam njohur si gjithë të tjerët dhe e kam simpatizuar dhe vlerësuar dhe për vetë meritat që kishte, se ka qenë në të vërtetë ai gjeniu i letrave shqiptare. Erdhi pastaj kjo periudha e ndryshimeve të vitit ’90. Ndieja nga sigurimi i shtetit se kishte reagim ndaj Ismailit dhe vetë Ismaili kishte disa shqetësime. I kam shkruar dhe në libër, ka publikuar edhe Elena, edhe vetë Ismaili është ankuar, ka shkruar deri në komitet qendror. Në këto kushte, duke parë presionin që i bëhej Ismailit, mendova ta takoj dhe t’i shprehja atë vlerësimin tim për vlerësimin që kishte treguar në mënyrë njerëzore. Por nga ana tjetër t’i tregoja që për çdo gjë tjetër unë jam mbështetës, mos ki merak për asgjë. .. Unë e mora në telefon pastaj, nuk e mora direkt, e mori punonjësi im, i thashë merre Ismailin i thuaj që të takohemi. Qëlloi atë ditë që ai do të nisej për në Francë dhe nuk u realizua ai takim dhe më erdhi keq me thënë të drejtën. Por megjithatë krijova mendimin që Ismaili ishte i sigurt dhe kishte besimin që unë do të isha ndër ata persona që nuk do të lija të kalonte çdo gjë.

Monika Stafa: Duket sikur kishte dy linja në jetën e tij, një që e mbronte, një që e survejonte. Thuhet që edhe vetë Enver Hoxha e ka ruajtur nga vetja e vet. Pse?

Qemal Lame: Enveri e ka mbrojtur nga vetë Enveri, sepse Ismaili ka bërë një shërbim të madh për letërsinë shqiptare dhe për kulturën dhe për historinë e shtetit tonë. Libri “Dimri i vetmisë së madhe” ose “Dimri i madh” është një libër monument dhe në këtë monument, figura kryesore është Enveri. Që të flasim me objektivitet pa reflektime politike në opinionin e njerëzve. Në rast se do të goditej Ismaili, do të goditej direkt edhe Enveri. Prandaj dhe Enveri mbrojti veten e tij… Është menduar për ta arrestuar sepse donin që të zhvillohej veprimtaria e komplotit, që komploti i Mehmet Shehut të ishte tamam një veprimtari e gjithanshme politike, ekonomike, shoqërore, edhe në kulturë, edhe në art. Prandaj duke u goditur ky personalitet, do të krijohej… Unë në të dyja rastet i kam shkruar Enverit dhe ka reflektuar, por edhe reflektimi është pikërisht sepse Enveri donte të mbronte veten e tij.

Top Channel