90% mundësi për rrufe! Anglinë e ndjek “mallkimi” i motit, ja vendimi dramatik që u mor në mesnatë!
Ja shkëmbimi i akuzave mes dy teknikëve në fund të sfidës mes Paraguajit dhe Francës, e fituar nga transalpinët.
Ndeshja Paraguaj-Francë duket se nuk mbaron kurrë. Klima e rëndë dhe mbytëse e fushës së lojës u zhvendos menjëherë edhe në sallën e shtypit dhe në zonën mikse. Kapitulli i fundit, i cili mund të ishte shmangur plotësisht në këtë sfidë që i ngjante më shumë një dyluftimi me shqelma sesa futbolli, ka të bëjë me fyerjet e pretenduara ndaj nënës së Didier Deschamps, e cila është ndarë nga jeta së fundmi. Sipas zërave, këto ofendime të rënda kanë ardhur nga pankina e amerikano-jugorëve. Një episod vërtet i trishtë, i cili gjithsesi është mohuar kategorikisht nga trajneri i Paraguajit, Gustavo Alfaro.
Akuzat e Deschamps në konferencë
Gjithçka nisi nga deklaratat e trajnerit francez Didier Deschamps përpara gazetarëve:
“Nuk do të kritikoj arbitrin për mënyrën si drejtoi,” tha ai, “por ne e mbyllëm ndeshjen me tre kartonë të verdhë, ndërsa pashë shumë gjëra që nuk më pëlqyen nga pala tjetër. Nuk do të kritikoj as Paraguajin, sepse çdo skuadër luan me mënyrat e saj dhe ndërton lojën që mendon se është më e mira për të. Megjithatë, do të kisha bërë shumë mirë pa ato fyerje. Sidomos nga disa prej tyre… Gjëja më e rëndësishme është që në fund nuk pati probleme të rënda dhe ne u kualifikuam.”
Deschamps nuk specifikoi se për çfarë fyerjesh bëhej fjalë, por nga burime pranë kombëtares franceze rrodhën informacione mbi ofendime të rënda ndaj nënës së tij, të lëshuara nga pankina e Paraguajit në minutat e tensionuara të fundit të ndeshjes. Pikërisht për këtë arsye, shtypi francez kërkoi llogari nga trajneri Alfaro, i cili mbërriti me shumë vonesë në konferencën për shtyp.
Përgjigjja e ashpër e Alfaros: “Nuk biem në këtë nivel ligësie”
Trajneri i Paraguajit (Albirroja) i hodhi poshtë me vendosmëri të gjitha akuzat sapo iu bë pyetja:
“Jo, absolutisht jo. Jo, jo dhe jo! Nuk ka pasur asnjë fyerje ndaj nënës së Deschamps. Nuk mund të bihet aq poshtë në futboll. Mendova se po i referoheshit fjalëve që lojtarët shkëmbejnë me njëri-tjetrin në fushë. Unë e admiroj shumë Didier Deschamps dhe e respektoj pafund: kemi biseduar në spanjisht kur u takuam në shortin e Botërorit.”
Alfaro pranoi tensionet, por sqaroi burimin e tyre:
“Sigurisht që pati përplasje dhe tensione, veçanërisht lidhur me vendimet e VAR-it (për penalltinë e akorduar në favor të Francës), sepse ata kërkonin 11-metërsh ndërsa ne thonim që nuk ishte. Por asgjë e asaj natyre personale. Sinqerisht, nuk kam dëgjuar asgjë të tillë dhe nuk besoj se ka ndodhur, sepse e njoh stafin tim dhe ne nuk biem në të tilla ligësi. Futbolli nuk është luftë. Nëse do të kisha dëgjuar diçka të tillë, do të isha i pari që do të ndërhyja për ta ndaluar. Një fyerje e tillë është tërësisht e papranueshme në këto rrethana.”
Top Channel