Vjedhja e 700 mijë eurove në postën e Durrësit, SPAK merr përsipër dosjen, dyshohet për grup të strukturuar kriminal dhe përfshirje të deputetes së PS
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka reaguar pas investigimit të emisionit “Fiks Fare”, të transmetuar mbrëmjen e djeshme, lidhur me importimin e 27 tonëve mish derri nga Brazili, për të cilin dyshohet se janë përdorur dokumente të falsifikuara.
Në një deklaratë publike, AKU kundërshton mënyrën se si është trajtuar çështja në emision, por pranon se ngarkesa kishte parregullsi në dokumentacion.
Sipas AKU-së, ngarkesa u pranua fillimisht më 7 tetor 2026 në Pikën e Inspektimit Kufitar në Durrës, ndërsa një ditë më pas, gjatë verifikimit të dokumentacionit nga Drejtoria e Përgjithshme, u konstatuan parregullsi.
Konkretisht, dyshohet se për të njëjtën ngarkesë janë përdorur dy grupe dokumentesh me të njëjtët numra, por me përmbajtje të ndryshme.
Pas konstatimit, më 8 tetor, inspektorët bllokuan të gjithë sasinë e mishit në magazinën e importuesit në Fier. AKU sqaron se produkti nuk ka arritur te konsumatorët dhe se në magazinë janë gjetur të gjithë 1.088 kartonët, me një peshë totale prej 27.000,65 kilogramësh.
Institucioni bën me dije se më 16 tetor ka depozituar kallëzim penal ndaj shoqërisë “KING-MIT” sh.p.k. dhe administratorit të saj, për falsifikim dokumentesh dhe kontrabandë. Po në të njëjtën datë është kallëzuar edhe inspektori i Pikës së Inspektimit Kufitar në Durrës, i cili kishte lejuar kalimin e ngarkesës.
Sa i përket punonjësve të AKU-së në Fier, institucioni sqaron se nuk janë konstatuar elemente të veprës penale, por janë evidentuar mangësi në trajtimin e shkeljeve, për të cilat është kërkuar nisja e procedurave disiplinore.
Një tjetër pikë e kundërshtuar nga AKU lidhet me moskryerjen e menjëhershme të asgjësimit të mishit. Sipas institucionit, produkti nuk është asgjësuar menjëherë pasi përbën provë materiale në procedimin penal.
AKU pretendon se etiketat, lotet dhe vulat e kontejnerit duhet të dokumentoheshin përpara asgjësimit, pasi shërbejnë për të provuar mospërputhjen mes ngarkesës fizike dhe dokumentacionit të paraqitur.
Në reagim sqarohet gjithashtu se gjoba prej 200 mijë lekësh të reja, e vendosur ndaj subjektit më 9 tetor, kishte të bënte me shkeljen e gjurmueshmërisë dhe nuk përbënte masën e vetme të marrë ndaj kompanisë. AKU thekson se për dyshimet për falsifikim dhe kontrabandë është bërë kallëzim penal.
Top Channel