Vjedhja e 700 mijë eurove në postën e Durrësit, SPAK merr dosjen në hetim, dyshohet për grup të strukturuar kriminal
Deputeti socialist Erion Braçe ka ngritur një sërë shqetësimesh gjatë diskutimeve në Kuvend për projektbuxhetin e vitit 2027, duke kërkuar largimin nga qeveria të ministrave që rrezikojnë realizimin e buxhetit të shtetit.
Kritikat e tij u përqendruan te mosrealizimi i shpenzimeve publike, mungesa e reformave në industri , përqendrimi i ekonomisë në pak sektorë, si dhe nevoja për ndryshime në sistemin e pensioneve dhe financimin e shëndetësisë.
Nga foltorja e Kuvendit, Braçe e cilësoi të papranueshme situatën e përsëritur ndër vite, kur të ardhurat buxhetore realizohen, ndërsa shpenzimet e planifikuara nuk kryhen plotësisht.
“Ajo që unë nuk pranoj është që qeveria të rrezikojë buxhetin. Më qartë, mosrealizimi i buxhetit, i të ardhurave dhe i shpenzimeve, në variantin që ka disa vite që po ndodh, realizimi i të ardhurave dhe mosrealizimi i shpenzimeve, është i papranueshëm”, deklaroi Braçe.
Deputeti socialist kujtoi se edhe një vit më parë kishte kërkuar largimin e ministrave që nuk realizojnë shpenzimet e parashikuara, duke këmbëngulur se paaftësia në administrimin e fondeve publike nuk mund të justifikohet.
“Vjet këtu thashë që ministrat që nuk realizojnë shpenzimet e parashikuara në buxhetin e shtetit duhet të ikin nga qeveria. Nuk ua ka borxh kurrkush paaftësinë dhe padijen për të përdorur paranë publike me efektivitet, abuzimin me të jo e jo”, u shpreh ai.
“Kush rrezikon realizimin e buxhetit të shtetit dhe sjell risk serioz për të, nuk ka pse të rrijë më në qeveri”, theksoi Braçe.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga deputeti socialist lidhej me gjendjen e industrisë, për të cilën kërkoi një reformë të plotë, duke kritikuar modelin aktual të zhvillimit dhe abuzimet në këtë sektor.
“Nuk e pranoj dot që, me aq shumë burime natyrore, ne të vijojmë të biem në industri. Duhet reformë totale në sektorin e industrisë. Duhet të ndalim krizën e ardhur nga modeli dhe abuzimi skandaloz me të”, deklaroi ai.
Braçe u ndal edhe te industria e lehtë dhe veçanërisht te bizneset që prodhojnë me material porositësi dhe eksportojnë. Ai tha se qeveria u kërkon vazhdimisht këtyre sipërmarrjeve të ndryshojnë modelin e biznesit, por nuk ofron mbështetjen e nevojshme për të përballuar kostot e këtij transformimi.
Sipas tij, një masë konkrete lehtësuese do të ishte përjashtimi i këtyre bizneseve nga taksat doganore për lëndët e para.
Për bujqësinë, deputeti socialist pranoi se financimi është rritur krahasuar me vitet e mëparshme, por theksoi se mungon një strategji afatgjatë për përdorimin e tokës dhe mbështetjen e fermerëve.
Një nga paralajmërimet më të forta të Braçes lidhej me përqendrimin e ekonomisë në sektorët e turizmit dhe ndërtimit. Sipas tij, rritja ekonomike, të ardhurat dhe punësimi po përqendrohen gjithnjë e më shumë në këta sektorë, duke krijuar varësi nga një numër i kufizuar sipërmarrësish. Ai paralajmëroi se përqendrimi i fuqisë ekonomike mund të ndikojë edhe në përfaqësimin politik, përmes kontrollit që punëdhënësit e mëdhenj ushtrojnë mbi punonjësit.
“Ne e kemi aktualitetin partiak të tillë që drejtuesit e jo vota caktojnë mbajtësit e pushtetit: ministra, deputetë, kryetarë bashkish, këshilltarë, drejtorë e kështu me radhë. Do të jetë e rëndë që të pasurit, që po përqendrojnë të ardhurat e punëtorëve, të përcaktojnë kryetarët e tyre, deputetët e tyre, përmes fuqisë ekonomike dhe kontrollit mbi punëtorët e tyre”, tha Braçe.
Kritika pati edhe për financimin e pushtetit vendor. Deputeti socialist tha se varësia e bashkive nga transfertat e qeverisë dhe taksa e ndikimit në infrastrukturë cenon autonominë vendore dhe përbën një problem për demokracinë.
Pjesë nga fjalimi i deputetit Erion Braçe në Kuvend:
“Ajo që unë nuk pranoj është që qeveria të rrezikojë buxhetin. Më qartë, mosrealizimi i buxhetit, i të ardhurave dhe i shpenzimeve, në variantin që ka disa vite që po ndodh, realizimi i të ardhurave dhe mosrealizimi i shpenzimeve, është i papranueshëm.
Vjet këtu thashë që ministrat që nuk realizojnë shpenzimet e parashikuara në buxhetin e shtetit duhet të ikin nga qeveria.
Nuk ua ka borxh kurrkush paaftësinë dhe padijen për të përdorur paranë publike me efektivitet, abuzimin me të jo e jo.
Kështu që i mbetem të njëjtës kërkesë që kush rrezikon realizimin e buxhetit të shtetit dhe sjell risk serioz për të, nuk ka pse të rrijë më në qeveri…
Nuk e pranoj dot që, me aq shumë burime natyrore, ne të vijojmë të biem në industri. Duhet reformë totale në sektorin e industrisë. Duhet të ndalim krizën e ardhur nga modeli dhe abuzimi skandaloz me të.
Kam edhe një vërejtje për industrinë e lehtë, atë që prodhon këtu me material porositësi dhe eksporton.
E kam dëgjuar vazhdimisht qeverinë të thotë që ata duhet të ndryshojnë modelin e tyre të biznesit. Patjetër, por kjo kushton dhe shpenzimet i paguajnë gjithnjë ata. Ndërkohë, duhet t’u sugjerojnë si bëhet kjo dhe, patjetër, ata njerëz meritojnë qoftë edhe një favor të thjeshtë nga qeveria: të çlirohen nga taksa doganore për lëndët e para.
Bujqësia ka më shumë para se vitet e mëparshme. Nuk mjaftojnë, por na mungon një plan i qartë, i shtrirë në kohë, se çfarë do të bëjmë me dy asetet: me tokën dhe bujqit.
Përqendrimi i ekonomisë në dy sektorë, i rritjes në këta dy sektorë, i të ardhurave po aty, i krahut të punës po aty, aq sa operatorët e paktë të turizmit dhe ndërtimit po kthehen në punëdhënësit e vetëm, nuk është i mirë për demokracinë.
Ne e kemi aktualitetin partiak të tillë që drejtuesit e jo vota caktojnë mbajtësit e pushtetit: ministra, deputetë, kryetarë bashkish, këshilltarë, drejtorë e kështu me radhë. Do të jetë e rëndë që të pasurit, që po përqendrojnë të ardhurat e punëtorëve, të përcaktojnë kryetarët e tyre, deputetët e tyre, përmes fuqisë ekonomike dhe kontrollit mbi punëtorët e tyre.
Varësia e pushtetit vendor, veçanërisht nga transfertat e qeverisë dhe, nga krahu tjetër, nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, është një element tjetër negativ, jo vetëm për pavarësinë e pushtetit vendor, për autonominë e tij, por edhe për demokracinë.
Edhe për zhvillimin në territor, me fokus mjedisin.
Patjetër që kemi bërë mirë që kemi trefishuar, katërfishuar kompensimin e të ardhurave pensionale, por ama duhet t’i bëjmë të qëndrueshme, si pjesë e masës së pensionit, duke garantuar qëndrueshmërinë e skemës me një reformë të pensioneve.
Të paktën të kishim një buxhet që financon deri në fund të gjitha nevojat e shëndetësisë, përfshirë edhe ato të listës së barnave, duke e nxjerrë listën e barnave nga e varësia e një oligarku, pa e kthyer shtetin në një monopolist për sa i takon sigurimit të barnave.
Top Channel