“Krimi i organizuar po bëhet ndërkombëtar, prioritet goditja e pasurive”, kreu i SPAK raporton te “Ligjet”: Po forcojmë hetimet financiare

03/07/2026 10:14

Drejtuesi i SPAK, Klodjan Braho, prezantoi këtë të premte në Komisionin e Ligjeve raportin vjetor të institucionit për vitin 2025, ku bëri një bilanc të punës së Prokurorisë së Posaçme, sfidave të hasura dhe objektivave për periudhën në vijim.

Në fjalën e tij, Braho theksoi se gjatë vitit 2025 SPAK është përballur me një numër të lartë çështjesh komplekse, duke vënë në dukje se krimi i organizuar ka marrë gjithnjë e më shumë karakter ndërkombëtar. Ai nënvizoi se prioritet mbetet jo vetëm ndjekja penale e autorëve, por edhe sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurive të krijuara nga aktiviteti kriminal.

Në përmbushje të detyrimit kushtetues kam nderin të paraqes raportin vjetor të Strukturës së Posaçme për vitin 2025. Ky raportim përbën mundësinë për të paraqitur në mënyrë të hapur dhe përgjegjshme se cilat kanë qenë rezultatet kryesore, sfidat e hasura dhe drejtimet ku kërkohet më shumë konsolidim.

Viti 2025 ka qenë një vit pune intensiv për SPAK-un. Veprimtaria jonë është zhvilluar në kushtet e një volumi të lartë çështjesh penale, shpesh me natyrë komplekse, me lidhje ndërkombëtare dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në interesin publik. Krimi i organizuar ka marrë gjithnjë e më shumë dimension transnacional, ndërsa hetimet për korrupsionin dhe pastrimin e produkteve të veprës penale kërkojnë kapacitete të specializuara, koordinim ndërinstitucional dhe bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë.

Në këtë kontekst, Prokuroria e Posaçme ka vijuar të ushtrojë ndjekjen penale dhe të përfaqësojë akuzën në gjykatë me fokus jo vetëm tek ndjekja e përgjegjësisë individuale penale por edhe tek goditja e përfitimit ekonomik nga veprimtaria kriminale. Për ne, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk matet vetëm me numrin e procedimeve apo të personave të dënuar, por edhe me aftësinë për të identifikuar, sekuestruar dhe konfiskuar pasuritë e krijuara në mënyrë të paligjshme.

Puna jonë zhvillohet edhe nën një vëmendje të lartë publike, e cila është e kuptueshme për natyrën e mandatit që ushtron SPAK-u. Kjo vëmendje nuk e zëvendëson standardin ligjor mbi të cilin ne veprojmë, por na kujton çdo ditë përgjegjësinë për të punuar me profesionalizëm, integritet, maturi dhe respekt të plotë për ligjin.

Në të njëjtën kohë, raportimi përpara Kuvendit nuk lidhet vetëm me paraqitjen e rezultateve vjetore, por edhe me mënyrën se si institucioni i përgjigjet rekomandimeve të Kuvendit dhe i kthen ato në procese konkrete pune. SPAK i ka trajtuar këto rekomandime si pjesë të konsolidimit të saj institucional, me fokus forcimin e analizës strategjike, rritjen e cilësisë së hetimit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional. Për këtë arsye, në vijim do të ndalem te masat e marra për zbatimin e rekomandimeve kryesore të Kuvendit dhe te hapat që SPAK ka ndërmarrë për secilin prej tyre.
Rekomandimet e rezolutës së Kuvendit.

Së pari, në zbatim të rekomandimit Nr.1, që lidhet me analizën e grupeve të krimit të organizuar, është ngritur grupi i punës brenda SPAK-ut, si dhe grupi ndërinstitucional me institucionet që disponojnë informacion dhe inteligjencë mbi grupet kriminale aktive brenda dhe jashtë vendit. Me mbështetjen e OPDAT, ICITAP, përfaqësuesit të FBI dhe EU4LEA II, jemi në fazën përfundimtare të përgatitjes të Vlerësimit Strategjik të Kërcënimit nga Krimi i Organizuar.

Ky dokument do të paraqesë karakteristikat kryesore të grupeve kriminale, tregjet ku ato veprojnë, mënyrat e veprimit, shtrirjen territoriale dhe ndërkombëtare. Ai do të analizoj edhe lidhjet ndërmjet krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe korrupsionit. Synimi është që ky dokument të bëhet publik brënda këtij viti dhe të shërbejë për herë të parë si një instrument i hapur strategjik për orientimin e politikës penale, analizës institucionale dhe bashkëpunimit ndërmjet agjencive ligjzbatuese.
Së dyti, në zbatim të rekomandimit Nr.2, për sa i përket analizës së masave të sigurimit për periudhën 2021 – 2025, SPAK ka ngritur grupin e punës dhe, me asistencën e EU4LEA II, po kryhet një proces i detajuar verifikimi manual i të dhënave për periudhën 5 vjeçare. Ky proces përfshin evidentimin e çdo kërkese të paraqitur nga Prokuroria e Posaçme për masë sigurimi, vendimmarrjen e GJKKO, kontrollin në apel dhe, sipas rastit, qëndrimin e Gjykatës së Lartë. Qëllimi nuk është vetëm nxjerrja e një statistike, por vlerësimi i standardit të kërkimeve tona, mënyrës se si ato janë vlerësuar nga gjykatat dhe nevojës për përmirësim të mëtejshëm të praktikës.

Së treti, në zbatim të rekomandimit Nr.3, për analizën e Strategjisë për Hetimin dhe Parandalimin e Krimeve Zgjedhore, është ngritur grupi i punës dhe me asistencën e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri jemi në përfundim të analizës së përbashkët me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Të dhënat paraprake tregojnë një rritje të ndjeshme të angazhimit institucional.
Gjatë periudhës 2021–2025, SPAK ka trajtuar mbi 230 materiale që lidhen me dyshime për vepra penale zgjedhore dhe ka regjistruar mbi 150 procedime penale. Vetëm për zgjedhjet e 11 majit 2025 janë administruar 194 materiale dhe janë regjistruar 46 procedime penale, nga të cilat 5 janë dërguar në gjykatë me 9 të pandehur, ndërsa 22 procedime vijojnë të jenë në hetim.

Këto të dhëna tregojnë se strategjia dhe task-forca kanë rritur kapacitetin e SPAK-ut për të administruar në kohë indiciet, për të filtruar rastet sipas kompetencës dhe për të orientuar më mirë bashkëpunimin ndërinstitucional. Prania e hershme e Task-Forcës së SPAK-ut në procesin zgjedhor ka pasur edhe efekt parandalues, duke rritur vëmendjen ndaj përgjegjësisë penale për sjelljet që cenojnë integritetin e zgjedhjeve. Analiza e përbashkët do të shërbejë për përmirësimin e strategjisë ekzistuese, forcimin e protokollit të bashkëpunimit dhe identifikimin e ndërhyrjeve të nevojshme ligjore apo organizative.

Së katërti, në zbatim të rekomandimeve Nr.4 dhe Nr.5, për zgjerimin e përdorimit të teknologjive të avancuara për gjurmimin e pasurive, si dhe vijimin e përpjekjeve për rritjen e kapaciteteve teknike dhe logjistike për hetimet financiare, krimin kibernetikë, pastrimin e parave dhe kriptovalutat, SPAK po vlerëson instrumentet që rrisin kapacitetin e gjurmimit të pasurive dhe rrjeteve financiare.
Kjo kërkon fuqizimin e hetuesve financiarë, zgjerimin e aksesit në databaza shtetërore (aktualisht kemi akses në 22 nga 40 databaza), përdorimin e mjeteve analitike dhe zhvillimin e kapaciteteve për analizimin e të dhënave digjitale dhe të teknologjisë blockchain. Këto fusha të reja nuk janë më thjesht mbështetëse të hetimit penal. Ato janë kthyer në pjesë thelbësore të hetimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit modern.

Së pesti, në zbatim të rekomandimit Nr.6, për unifikimin dhe standardizimin e metodologjisë hetimore, Prokuroria e Posaçme ka ngritur një grup pune të posaçëm për unifikimin dhe standardizimin e metodologjive hetimore, veçanërisht në mbledhjen dhe administrimin e provave dhe aplikimin e masave të sigurisë, në përputhje me vendimet unifikuese të Gjykatës së Lartë, vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Të gjitha këto masa, të kombinuara me angazhimin e partnerëve ndërkombëtarë për asistencë teknike dhe ekspertizë, synojnë të sigurojnë një zbatim efektiv dhe të strukturuar të rekomandimeve, në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare.

Së gjashti, në zbatim të rekomandimit Nr.7, në drejtim të reduktimit të çështjeve të prapambetura, Prokuroria e Posaçme pas një pune të koordinuar dhe të strukturuar me partnerët ndërkombëtarë që mbështesin SPAK, ka finalizuar dhe miratuar me urdhërin e Drejtuesit nr. 27061, datë 04.08.2025, “Strategjinë për Reduktimin e Çështjeve të Mbartura 2025–2027”.

Strategjia ka hyrë në fazën e zbatimit praktik, duke dhënë tashmë rezultate konkrete dhe të matshme, në përputhje me objektivat dhe afatet e përcaktuara në të, konkretisht në lidhje me normën e reduktimit të çështjeve me mbi 70%, me reduktimin në 10% të çështje të regjistruara në vitin 2020 e më përpara, me reduktimin në 20 % të çështjeve të regjistruara në vitin 2021.

Për SPAK-un, ky rezultat nuk përbën vetëm një përmirësim statistikor. Ai tregon se trajtimi i çështjeve të vjetra është kthyer në një proces të monitoruar periodikisht. Qëllimi ynë është që reduktimi i backlog-ut të vijojë në mënyrë të qëndrueshme, duke garantuar njëkohësisht cilësinë e hetimit, respektimin e të drejtave procedurale dhe përfundimin e çështjeve brenda afateve sa më të arsyeshme.
Së shtati, në zbatim të rekomandimit Nr.8, për Sa i përket Sistemit të Menaxhimit të Çështjeve, Prokuroria e Posaçme gjatë vitit 2025, vijoi zbatimin dhe konsolidimin e Sistemit të Menaxhimit të Çështjeve, me synim aktivizimin e plotë të moduleve, rritjen e efikasitetit dhe gjenerimin e statistikave në kohë reale.

Në vitin 2025 nisi zbatimi praktik i sistemit me përmirësime të vazhdueshme funksionale, ku u përfundua zhvillimi dhe implementimi i modulit të referimit dhe procedimeve pasurore, si dhe i modulit të statistikave sipas formatit zyrtar të raportimit, që mundëson edhe identifikimin e backlog-ut të çështjeve.

Sistemi është në fazën përfundimtare të konsolidimit dhe synimi është funksionaliteti i plotë e i qëndrueshëm në të gjitha modulet brenda vitit 2026. Sistemi është një instrument praktik që ofron gjurmueshmëri, menaxhim ngarkese dhe raportim me cilësi më të lartë, gjithashtu ai forcon edhe disiplinën administrative të SPAK-ut.

Së teti, në zbatim të rekomandimit Nr.9, për rritjen e efikasitetit të BKH-së, jemi në fazën e fundit përgatitore për hapjen e thirrjes për 40 hetues të rinj. Përveç plotësimit të vakancave, synimi është edhe riorganizimi më funksional i ndarjes së brendshme të BKH-së, duke i dhënë më shumë peshë përpunimit të inteligjencës kriminale, veprimtarisë operative taktike, gjurmimit të kriptovalutave dhe hetimit të krimit kibernetik. Ky riorganizim është i nevojshëm për t’iu përgjigjur natyrës së re të hetimeve, ku prova digjitale, analiza financiare dhe inteligjenca kriminale janë po aq të rëndësishme sa veprimet klasike procedurale.

Së nënti, në zbatim të rekomandimit Nr.10, bashkëpunimi ndërkombëtar mbetet prioritet i vazhdueshëm i SPAK-ut. Krimi i organizuar, pastrimi i parave, korrupsioni me dimension ndërkufitar, kriptovalutat dhe provat elektronike kërkojnë bashkëpunim të shpejtë, të besueshëm dhe të strukturuar me partnerët ndërkombëtarë.

Gjatë vitit 2025, ky bashkëpunim është konkretizuar në 95 kërkesa për ndihmë të ndërsjellë juridike të ardhura nga 17 shtete, si dhe në 156 kërkesa për ndihmë juridike të dërguara nga SPAK drejt 31 shteteve. Një tregues tjetër i rëndësishëm i intensifikimit të bashkëpunimit ndërkombëtar është rritja e numrit të skuadrave të përbashkëta hetimore nga 26 në 32.

Këto të dhëna tregojnë se bashkëpunimi ndërkombëtar nuk është më vetëm kanal komunikimi apo shkëmbim formal informacioni, por pjesë e përditshme e hetimit penal, veçanërisht në çështjet ku veprimtaria kriminale, asetet, provat dhe personat e përfshirë shtrihen në disa juridiksione. Për këtë arsye, SPAK do të vijojë të intensifikojë bashkëpunimin me Eurojust, Europol, OLAF, agjencitë e Bashkimit Evropian, partnerët strategjikë dhe autoritetet homologe, me qëllim rritjen e shpejtësisë, cilësisë dhe efektivitetit të hetimeve me dimension ndërkombëtar.

Të nderuar deputetë,
Rekomandimet e Kuvendit kanë shërbyer si një pikë e rëndësishme orientimi për punën e SPAK-ut gjatë vitit raportues. Ato janë trajtuar jo si një detyrim formal, por si pjesë e përpjekjes për të përmirësuar cilësinë e hetimit, për të forcuar kapacitetet profesionale dhe për të rritur efektivitetin e SPAK-ut përballë formave gjithnjë e më komplekse të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Disa prej këtyre proceseve janë ende në fazë përfundimtare, pasi përmbushja e tyre kërkon kohë, burime financiare si dhe burime njerëzore të dedikuara përtej veprimtarisë sonë të përditshme. Por, ajo që është më e rëndësishmja është fakti që rekomandimet janë përkthyer në ndryshime konkrete të mënyrës së punës sonë të përditshme.
* * *
Pas paraqitjes së masave të marra për zbatimin e rekomandimeve të Kuvendit, dëshiroj të ndalem shkurtimisht edhe te panorama e përgjithshme e veprimtarisë së SPAK-ut gjatë vitit 2025. Raporti Vjetor i është vënë zyrtarisht në dispozicion Kuvendit, ndaj do të evidentoj disa tregues kryesorë që lidhen me volumin e punës, gjendjen e kriminalitetit në fushën e krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimit zgjedhor, ecurinë e hetimeve financiare, si dhe pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara.
Volumi i punës në përfundimin e hetimeve.

Gjatë vitit 2025, SPAK-u ka hetuar gjithsej 871 procedime penale. Nga këto, 577 procedime janë mbartur nga viti 2024, ndërsa 294 janë regjistruar si procedime të reja. Krahasuar me vitin 2024, kjo përfaqëson rritje të volumit të hetimeve me 4.9 për qind.

Po ashtu, gjatë vitit 2025 janë përfunduar 216 çështje, duke ruajtur nivelin e vitit paraardhës. Raporti ndërmjet procedimeve të reja dhe çështjeve të përfunduara u rrit nga rreth 66.4 për qind në vitin 2024, në rreth 73.1 për qind në vitin 2025. Kjo tregon se SPAK-u ka përballuar një ngarkesë në rritje pa humbur qëndrueshmërinë në mbylljen e hetimeve.

Një tregues i rëndësishëm gjatë vitit 2025 është rritja e qasjes pro-aktive. Nga 294 procedime të reja, 109 janë regjistruar kryesisht nga Prokuroria e Posaçme, ose rreth 37 për qind e totalit. Në vitin 2024 ky tregues ishte 19.8 për qind. Kjo tregon se SPAK po mbështetet gjithnjë e më shumë në analizë, hetim financiar dhe inteligjencë kriminale, jo vetëm në kallëzime apo referime të ardhura nga institucione të tjera.

Efektiviteti në gjykim.
Efektiviteti i SPAK në gjykim ka mbetur në nivele të qëndrueshme, gjatë periudhës 2021–2025. Krahasuar me vitin 2024, numri total i vendimeve të GJKKO-së është rritur lehtë me 5,5% (nga 72 në 76 vendime), duke reflektuar stabilizim të volumit të çështjeve të përfunduara.

Vendimet e fajësisë përbëjnë rreth 87% të totalit (66 nga 76), ndërsa vendimet e pafajësisë rreth 13% (10 nga 76), duke treguar nivelin e lartë të efektivitetit të Prokurorisë së Posaçme në fazën e gjykimit. Gjatë vitit 2025, numri i rekurseve të paraqitura në Kolegjin e Posaçëm të Gjykatës së Lartë për çështjet e hetuara nga SPAK është ulur ndjeshëm, me rreth 63% (nga 87 në 32). Për këto çështje, Gjykata e Lartë ka shqyrtuar dhe marrë 59 vendime përfundimtare, ndërsa 1 vendim është marrë nga Gjykata Kushtetuese.

Masat e sigurimit.
Politika jonë penale gjatë vitit 2025 është udhëhequr nga parimi i proporcionalitetit dhe i nevojës, duke konsideruar arrestin në burg si mjetin e fundit të sigurimit personal. Kështu, krahasuar me vitin 2024, masa “arrest me burg”, ka pësuar rënie si në vlerë absolute me rreth 53,4 %, (nga 236 raste në vitin 2024, në 110 raste në vitin 2025), ashtu edhe në raport me numrin total të masave të aplikuara (nga rreth 61% në vitin 2024, në rreth 39% në vitin 2025). Prej totalit të rasteve për vitin 2025, rreth 3.45% e tyre lidhen me veprat penale të korrupsionit, ndërsa 21.14% të totalit lidhen me veprat penale të krimit të organizuar.

Më konkretisht, për i përket veprave penale në fushën e korrupsionit, gjatë vitit 2025 janë rregjistruar gjithsej 175 persona nën hetim, nga të cilët janë hetuar me masën e sigurimit “arrest në burg” vetëm 15 persona, me masë sigurimi “arrest në burg”, në mungesë 5 persona (pra gjithsej 20 persona), me masa të tjera sigurimi janë hetuar 48 persona, janë hetuar në gjëndje të lirë 107 persona.
Lufta kundër korrupsionit, përfshirë zyrtarët e nivelit të lartë.
Të dhënat e vitit 2025 tregojnë se, korrupsioni në institucionet publike dhe në sistemin e drejtësisë mbetet një fenomen shqetësues, i cili përfshin, funksionarë vendorë dhe administrativë, si edhe prokurorë, gjyqtarë, punonjës policie etj.

Në fushën e luftës kundër korrupsionit, viti 2025 shënoi rritje të aktivitetit hetimor. Çështjet e reja për korrupsion u rritën me rreth 18 për qind (nga 186 në 220), ndërsa çështjet e përfunduara u rritën me 12 për qind (nga 139 në 156) të çështjeve/hetimeve të përfunduara krahasuar me një vit më parë.
Ky aktivitet i shtuar reflektohet në dërgimin në gjykatë të 24 procedimeve me 147 të pandehur për për vepra penale në fushën e korrupsionit nga zyrtarë të nivelit të mesëm ose të ulët, si dhe 10 procedimeve me 13 të pandehur për vepra penale në fushën e korrupsionit për zyrtarë të nivelit të lartë.
SPAK ka vijuar me vendosmëri hetimin e zyrtarëve të nivelit të lartë, me 6 procedime të reja dhe 16 persona nën hetim. Nga 30 zyrtarë dhe ish zyrtarë të lartë nën hetim gjatë vitit 2025, mbi 50% e tyre (18) janë dërguar në gjykatë me kërkesë për gjykim, ndërsa 10 ish zyrtarë të lartë janë dënuar me vendim të formës së prerë, duke treguar qëndrueshmëri dhe efektivitet në ndjekjen penale në nivelet më të larta të administratës publike.

Këto të dhëna duhet të lexohen me kujdes institucional. Funksioni publik nuk duhet të bëhet pengesë për hetimin, por edhe hetimi penal nuk mund të përbëjë arsye për paragjykim. Kushdo quhet i pafajshëm përderisa nuk i është provuar fajësia me vendim gjyqësor të formës së prerë. Ky standard kushtetues është i njëjtë për çdo person.

Nga analiza e riskut, korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike, shkelja e barazisë në tendera publikë, ushtrimi i ndikimit të paligjshëm dhe lidhja e disa rasteve të korrupsionit me krimin e organizuar mbeten fusha që kërkojnë vëmendje të shtuar. Kjo tregon se korrupsioni nuk është vetëm shkelje individuale. Në raste të caktuara ai shërben si infrastrukturë për krimin e organizuar, përfitimin e paligjshëm dhe deformimin e vendimmarrjes publike.
Lufta kundër krimit të organizuar.

Të dhënat e vitit 2025 tregojnë se krimi i organizuar po shfaqet në forma më komplekse dhe më të sofistikuara. Grupet kriminale nuk veprojnë më vetëm me forma klasike. Ato përdorin ndarje të qartë rolesh, komunikime të enkriptuara, subjekte tregtare fiktive, transaksione informale, dhe investime në pasuri të paluajtshme.
Hetimet e vitit 2025 tregojnë se trafiku i narkotikëve dhe pastrimi i produkteve të veprës penale mbeten ndër prioritetet kryesore. Në profilin e riskut, grupi i strukturuar kriminal përbën 54 për qind të kësaj kategorie, trafikimi i narkotikëve 28.4 për qind dhe pastrimi i produkteve të veprës penale 24.3 për qind. Në të njëjtën kohë, Shqipëria në disa raste përdoret si vend tranziti, rekrutimi, koordinimi apo pastrimi të përfitimeve kriminale, ndërsa aktiviteti kryesor i grupeve shpesh shtrihet jashtë territorit të vendit.

Në vitin 2025 janë hetuar gjithsej 261 procedime penale në fushën e krimit të organizuar, me 445 persona nën hetim. Çështjet e përfunduara për krimin e organizuar u rritën nga 58 në vitin 2024, në 60 në vitin 2025.
Në këtë drejtim, bashkëpunimi ndërkombëtar ka qenë thelbësor. Gjatë vitit raportues, SPAK ka vijuar bashkëpunimin me Eurojust, Europol, Interpol, autoritete të vendeve të BE-së, Mbretërisë së Bashkuar, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Amerikës Latine. Krimi i organizuar nuk kufizohet nga kufiri shtetëror, për këtë arsye, edhe reagimi procedural duhet të jetë i koordinuar, profesional dhe ndërkombëtar.
Hetimi financiar dhe pasuror.
Një drejtim tjetër prioritar ka qenë hetimi financiar dhe pasuror. Gjatë vitit 2025, vlera totale e pasurive të sekuestruara është në shumën 43.49 milion euro, ndërsa vlera e pasurive të konfiskuara është në shumën 1.91 milion euro. Në pasuritë e sekuestuara përfshihet edhe sekuestrimi i kriptovalutave Tether, USDT, me vlerë ekuivalente rreth 14.5 milionë dollarë.

Për vitin 2025 konstatohet se vlera e pasurive te sekuestruara eshte dukshëm me e larte se ato te konfiskuara. Arsyeja lidhet me ecurinë e hetimeve dhe te proceseve gjyqesore, ne te cilat janë sekuestruar pasuritë, duke mos patur ende nje vendim përfundimtar, si dhe per faktin qe ne disa raste gjate gjykimit palët arrijnë qe te justifikojnë burimin e ligjshëm te pasurive.

Hetimi financiar do të jetë pjesë e pandarë e hetimit penal dhe se goditja e pasurisë kriminale do të mbetet një nga prioritetet kryesore të SPAK-ut. Goditja e përfitimit kriminal dobëson fuqinë ekonomike të grupeve kriminale dhe kufizon ndikimin e tyre në shoqëri. Njëkohësisht, ato tregojnë nevojën për zhvillimin e mëtejshëm të mekanizmave ligjorë dhe teknikë për administrimin e pasurive të reja, veçanërisht aseteve virtuale, në të njëjtën mënyrë të sigurt dhe të kontrollueshme si pasuritë e tjera të sekuestruara apo të konfiskuara.

Krimet zgjedhore.
Viti 2025 ishte gjithashtu vit zgjedhor parlamentar. Për veprat penale që lidhen me zgjedhjet janë hetuar gjithsej 70 procedime penale, me 27 persona nën hetim. Nga këto, 46 procedime lidhen me zgjedhjet e vitit 2025. Deri në qershor 2026, për këto procedime, 5 çështje janë dërguar në gjykatë me kërkesë për gjykim, me 9 persona të pandehur, ndërsa 22 procedime vijojnë të jenë në hetim.

Këto të dhëna tregojnë se trajtimi i krimeve zgjedhore nuk është kufizuar në administrimin formal të kallëzimeve, por është shoqëruar me verifikim, filtrimin e rasteve sipas kompetencës dhe ndjekjen e atyre çështjeve ku janë krijuar kushtet procedurale për vijimin e hetimit. Në këtë kuadër, vendimmarrjet për mosfillim apo për kërkim pushimi kanë qenë të kontrollueshme në rrugë gjyqësore dhe, sipas të dhënave të disponuara, nuk rezulton që këto vendimmarrje të jenë ndryshuar.

Në këtë proces, për herë të parë u zbatua Strategjia për Hetimin dhe Parandalimin e Krimeve Zgjedhore, e cila synoi një qasje më të hershme, më të strukturuar dhe më të koordinuar institucionale. Bashkëpunimi i SPAK me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve vlerësohet se ka ndikuar pozitivisht jo vetëm në trajtimin e rasteve konkrete, por edhe në forcimin e efektit parandalues ndaj veprave penale që cenojnë integritetin e procesit zgjedhor.

Në vlerësimin tonë, kjo qasje duhet të konsolidohet më tej. Task-Forca për krimet zgjedhore nuk duhet të funksionojë vetëm gjatë muajit zgjedhor, por duhet të ketë një shtrirje më të gjerë kohore, duke nisur së paku 4 muaj përpara ditës së zgjedhjeve dhe duke vijuar deri në përfundimin e procesit të numërimit. Një mekanizëm i tillë do të mundësonte monitorim më të hershëm dhe më të qëndrueshëm të territorit, shkëmbimin më të shpejtë të informacionit, identifikim më të mirë të riskut dhe reagim më të koordinuar ndaj çdo indicieje për veprat penale zgjedhore. Mësimet e nxjerra nga viti 2025 duhet të shërbejnë për përmirësimin e protokollit ndërinstitucional, forcimin e analizës së përbashkët dhe rritjen e aftësisë parandaluese dhe reaguese të institucioneve përgjegjëse.
Problematikat dhe sfidat.

SPAK ka identifikuar disa sfida kryesore në funksionimin e saj, disa prej të cilave janë evidentuar edhe në vitet e mëparshme, të cilat kërkojnë ndryshime ligjore të mundshme në Kushtetutë, ligjin organik Nr.95/2016 dhe ligje të tjera, për të garantuar cilësinë dhe mbarëvajtjen e veprimtarisë së institucionit, si më poshtë:

1. Sfidat në hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit të zyrtarëve të lartë – Hetimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta mbeten sfida të rëndësishme.

SPAK do të vijojë hetimet e mëtejshme ndaj korrupsionit të zyrtarëve të nivelit të lartë, të krimit të organizuar, të pastrimit të parave dhe do të vijojë goditjen e pasurive që kanë origjinë kriminale, duke iu përshtatur dhe duke iu përgjigjur sfidave të vazhdueshme që paraqesin këto fenomene;
2. Statusi i prokurorëve të posaçëm pas përfundimit të mandatit – Mospërcaktimi i qartë ligjor mundet të cënojë vijimësinë e hetimeve dhe standardet profesionale, duke ndikuar në besimin e publikut dhe në përmbushjen e kërkesave të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare.

Kushtetuta ka parashikuar një mandat 9-vjeçar për prokurorët e posaçëm, pa të drejtë riemërimi. Ky model ka pasur qëllimin e vet në fazën e ngritjes së institucioneve të reja të drejtësisë. Megjithatë, pas këtyre viteve të funksionimit, është e nevojshme të vlerësohet nëse ky model garanton mjaftueshëm vijimësinë profesionale të Prokurorisë së Posaçme.

Përfundimi i mandatit të prokurorëve të posaçëm krijon jo thjeshtë çështje të karrierës së tyre individuale, por krijon edhe çështje të ruajtjes së eksperiencës së specializuar që është krijuar brenda SPAK-ut. Kjo eksperiencë lidhet me hetime komplekse, bashkëpunim ndërkombëtar, hetim financiar dhe administrim të çështjeve me ndjeshmëri të lartë publike.

3. Këshilltarët ligjor pranë SPAK – Mungesa e këshilltarëve ligjorë me përvojë krijon vështirësi në cilësinë e hetimeve dhe ndjekjes së çështjeve në të gjitha shkallët e gjykimit, përfshirë edhe në Gjykatën Kushtetuese.

4. Bashkëpunimi me institucionet publike – Edhe pse ka rritje të referimeve dhe shkëmbimit të informacionit, niveli i bashkëpunimit duhet të intensifikohet më tej, veçanërisht me Policinë e Shtetit, për të garantuar hetime më të koordinuara dhe efikase.

5. Sistemi i Menaxhimit të Çështjeve (Case Management System) – Konsolidimi i mëtejshëm i moduleve ekzistuese dhe integrimi i funksionaliteteve të reja mbetet prioritet për të përmirësuar ndërveprimin me proceset hetimore dhe procedurale të të dhënave, duke siguruar monitorim më të mirë të progresit të çështjeve.
6. Njësia e analizës – Konsolidimi i veprimtarisë së Sektorit të Vlerësimit të Informacionit Kriminal në BKH, si strukturë e specializuar për mbështetjen e hetimeve komplekse, matjet e riskut dhe rritjen e rolit proaktiv në fillimin e çështjeve kryesisht, mbetet sfidë, duke kërkuar bashkëpunimin e vazhdueshëm me ekspertë ndërkombëtar dhe rritje të kapaciteteve teknike;

7. Specialisti Ndërlidhës – Statusi i specialistit ndërlidhës si nëpunës civil nuk përputhet plotësisht me funksionet, që duhet të kryejë sipas ligjit nr. 95/2016, duke e bërë të nevojshme përcaktimin e qartë të pozicionit dhe kompetencave për të garantuar efektivitetin e rolit.

8. Shqyrtimi i kërkesave nga autoritetet e huaja – Mungesa e kompetencës për njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve penale të huaja, përfshirë procedurat e ekstradimit, mbetet problematike dhe ndikon vijimësinë e hetimeve dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

9. Kompetenca e Gjykatave të Posaçme – Mungesa e kompetencës për shqyrtimin e kërkesave në fazën e ekzekutimit të vendimeve penale për subjektet e posaçme detyron që këto çështje të trajtohen nga gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm, duke rritur kohëzgjatjen dhe kompleksitetin procedural.
10. Ekstradimi/deportimi i shtetasve shqiptarë – Edhe pse ka përmirësime në bashkëpunimin me disa shtete, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, procesi i ekstradimit vazhdon të jetë sfidues dhe kërkon nënshkrimin e marrëveshjeve dypalëshe për të garantuar ekzekutimin e vendimeve penale jashtë vendit”, u shpreh kreu i SPAK.

Top Channel