Samiti i ardhshëm i NATO-s në pikëpyetje për t’u mbajtur në Shqipëri? Reuters zbulon negociatat, Tirana zyrtare: Draft-deklarata nuk është vendim

30/06/2026 23:57

Ndërsa udhëheqësit e NATO-s përgatiten për samitin që do të mbahet javën e ardhshme në Turqi, planet për zhvillimin e samitit të Aleancës në Shqipëri vitin e ardhshëm janë vënë në pikëpyetje për shkak të rezistencës nga administrata Trump dhe pakënaqësisë së vendeve anëtare të NATO-s me nivelin e ulët të shpenzimeve të Tiranës për mbrojtjen, thanë për Reuters një diplomat i NATO-s, një zyrtar evropian dhe tre persona të njohur me diskutimet.

Sipas tyre, projekt-deklarata për samitin e NATO-s që do të mbahet javën e ardhshme në Ankara aktualisht nuk përmend zhvillimin e takimit të ardhshëm në Shqipëri, pavarësisht se në një deklaratë të mëparshme ishte përcaktuar se samiti pasues do të mbahej pikërisht aty, shkruan Reuters.

Ky zhvillim vjen në një kohë kur vendet evropiane anëtare të NATO-s po përpiqen t’i tregojnë presidentit amerikan Donald Trump në Ankara se kanë bërë përparim në përmbushjen e angazhimeve për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes dhe të shmangin përplasjet e hapura me liderin amerikan.

Paqartësia mbi fatin e samitit të Aleancës në Shqipëri vjen gjithashtu pasi Reuters raportoi në prill se NATO po shqyrton mundësinë e heqjes dorë nga praktika e viteve të fundit për zhvillimin e samiteve vjetore, një lëvizje që mund të shmangte një përballje potencialisht të tensionuar me Trump në fund të mandatit të tij.

Një nga personat e njohur me diskutimet tha se niveli i shpenzimeve të Shqipërisë për mbrojtjen është i tillë që, nëse NATO do të zhvillonte një samit në vend në vitin 2027, Trump mund të zemërohej, duke shkaktuar tituj negativë në media.

Një diplomat evropian tha se versioni më i fundit i projekt-tekstit thotë vetëm se liderët presin me padurim takimin e tyre të ardhshëm, pa specifikuar kohën apo vendin.

“Projektet janë projekte, jo vendime”, tha një zëdhënës i qeverisë shqiptare për Reuters, kur u pyet për mungesën e përmendjes së Shqipërisë në projekt-deklaratë, e cila është ende në negociata dhe mund të ndryshojë.

Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentojë. Një zyrtar i NATO-s tha se nuk kishte një koment të menjëhershëm.

Në qendër të vëmendjes shpenzimet për mbrojtjen Vitet e fundit, deklaratat zyrtare të samiteve të NATO-s zakonisht kanë përmendur në mënyrë të qartë vendin ku do të mbahej samiti pasues.
Në samitin e zhvilluar në Hagë vitin e kaluar, liderët deklaruan se “presim me padurim takimin tonë të ardhshëm në Turqi në vitin 2026, i ndjekur nga një takim në Shqipëri”.

Në të njëjtin samit, udhëheqësit e NATO-s iu përgjigjën kërkesave të Trump duke u zotuar se, brenda një dekade, do të shpenzojnë 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për mbrojtjen dhe masat që lidhen me të.

Vendet anëtare premtuan të shpenzojnë 3.5% të PBB-së për mbrojtjen bazë, si trupat ushtarake dhe armatimet, dhe 1.5% për masa më të gjera që lidhen me mbrojtjen, si siguria kibernetike.
Megjithatë, ndërsa shumë vende të NATO-s kanë rritur buxhetet e tyre të mbrojtjes gjatë muajve të fundit, disa shtete kanë pasur vështirësi të arrijnë edhe objektivin e mëparshëm të Aleancës për të shpenzuar 2% të PBB-së për mbrojtjen.

“Kur shikon objektivin prej 2%, pothuajse të gjithë aleatët e kanë arritur atë,” tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, gjatë një konference për shtyp në fillim të këtij muaji. “Vitin e kaluar, Shqipëria, Çekia dhe Sllovenia nuk e kishin arritur, por ato janë angazhuar qartë se do të kalojnë mbi 2% këtë vit. Kur e sheh panoramën e përgjithshme, bëhet fjalë për një numër shumë të vogël vendesh,” tha ai.

Shqipëria planifikon masa për t’u përafruar me objektivat e NATO-s

Qeveria shqiptare deklaroi për Reuters se po “përfundon masat e nevojshme fiskale për të përafruar shpenzimet e Shqipërisë për mbrojtjen dhe çështjet që lidhen me të në vitin 2026 me trajektoren e dakordësuar nga aleatët e NATO-s në Samitin e Hagës”.

“Sapo këto masa të miratohen në ditët në vijim, shpenzimet e Shqipërisë për mbrojtjen dhe çështjet e lidhura me të për vitin 2026 do të arrijnë në 2.6% të PBB-së, në përputhje me metodologjinë e NATO-s për llogaritjen e shpenzimeve të mbrojtjes. Nga kjo shumë, 2.2% e PBB-së përfaqëson shpenzimet bazë të mbrojtjes, ndërsa 0.4% e PBB-së përfaqëson shpenzime të tjera që lidhen me mbrojtjen dhe sigurinë”, thuhet në deklaratë.

Një diplomat evropian tha se Shqipëria mund të përfundojë sërish duke pritur samitin.

“Ata po rrisin gradualisht shpenzimet dhe do të shohim se ku do të përfundojë kjo,” tha diplomati, duke shtuar: “Unë ende besoj se samiti i ardhshëm do të mbahet në Shqipëri.”

Top Channel