Video/ Mbappe merr Francën për dore, dy gola ndaj Suedisë dhe kualifikim bindës në fazën tjetër të Botërorit
Viti 2026 vazhdon të jetë i vështirë për mbrojtësin e Interit, Alessandro Bastoni. Pasi la pas polemikat sportive dhe festoi suksesin e dyfishtë të zikaltërve me titullin kampion dhe Kupën e Italisë, futbollisti italian është përfshirë tashmë në një çështje të rëndë jashtë fushës.
Sipas mediave italiane, Bastoni ka marrë një njoftim zyrtar nga Prokuroria e Milanos dhe është nën hetim për dyshime që lidhen me prostitucionin e të miturve, në kuadër të hetimeve ndaj agjencisë së eskortës “Ma.De”, me seli në Cinisello Balsamo. Sipas akuzës, kjo kompani organizonte mbrëmje dhe festa “all inclusive” dhe ishte prej kohësh në qendër të një hetimi për shfrytëzim prostitucioni. Në ditët në vijim, mbrojtësi pritet të paraqitet para prokurorëve.
Për Bastonin, kjo është goditja më e fundit pas një sezoni të mbushur me polemika. Gjithçka nisi në derbin mes Interit dhe Juventusit, kur simulimi i tij çoi në kartonin e kuq të Pierre Kalulu. Edhe pse Interi fitoi 3-2, episodi shkaktoi reagime të forta në Itali.
Pak ditë më vonë, Bastoni kërkoi falje publikisht, duke pranuar se kishte ekzagjeruar kontaktin për të përfituar një avantazh dhe se festimi pas përjashtimit të kundërshtarit kishte qenë i gabuar.
“Kur ndjeva kontaktin, e teprova me rrëzimin për të marrë një avantazh. Më vjen keq dhe mbi të gjitha më vjen keq për mënyrën si festova më pas”, deklaroi ai.
Megjithatë, kërkimfalja nuk mjaftoi për të qetësuar tifozët. Në stadiume të ndryshme të Serisë A, Bastoni u prit me fishkëllima sa herë prekte topin, ndërsa vetëm tifozët e Interit në “San Siro” vazhduan ta mbështesnin.
Problemet vazhduan edhe me kombëtaren italiane. Në ndeshjen vendimtare të “play-off”-it ndaj Bosnjë-Hercegovinës në Zenicë, Bastoni u ndëshkua me karton të kuq direkt në minutën e 42-të pas një ndërhyrjeje si lojtari i fundit, duke e lënë Italinë me dhjetë futbollistë në sfidën që përfundoi me eliminimin dramatik dhe mungesën e tretë radhazi në Kupën e Botës.
Megjithëse triumfi i Interit në fund të sezonit ndihmoi në zbutjen e kritikave, hetimi i ri i Prokurorisë së Milanos e rikthen Bastonin në qendër të vëmendjes, këtë herë për arsye shumë më serioze dhe jashtë fushës së lojës.
Top Channel