Spanja, Lamine Yamal pas suksesit: Franca? Jam i përgatitur
Alessandro Bastoni, po hetohet nga Prokuroria e Milanos në kuadër të një dosjeje për prostitucion të të miturve.
Bastoni, i cili mori sot aktin e njoftimit të hetimeve, dyshohet se ka pasur marrëdhënie me një vajzë 17-vjeçare dhe pritet të merret në pyetje në ditët në vijim. Emri i tij është i lidhur me hetimin e “agjencisë së eskortave”, një kompani me bazë në Cinisello Balsamo, e cila, sipas akuzave, organizonte mbrëmje dhe festa “gjithëpërfshirëse” për klientë VIP, kryesisht futbollistë. Bastoni është futbollisti i parë i vënë nën hetim.
Sipas asaj që del nga dosja, vepra penale dyshohet të ketë ndodhur gjatë një takimi në qershor të vitit 2020 me një vajzë, e cila në atë kohë ende nuk kishte mbushur 18 vjeç. Hetuesit dyshohet se kanë rindërtuar kontaktin përmes disa bisedave të sekuestruara gjatë hetimeve, nga të cilat del në pah roli i njërit prej bashkëpunëtorëve të agjencisë në organizimin e takimit. Megjithatë, ngjarja mbetet për t’u sqaruar plotësisht, pasi vajza, e dëgjuar në cilësinë e dëshmitares, thuhet të ketë deklaruar se mes tyre nuk ka pasur asnjë marrëdhënie. Por, për atë takim ka gjurmë të qarta në letrat e hetimit.
Siç kuptohet nga bisedat e zbardhura (chat-et), ka qenë një nga sekserët e agjencisë në fjalë, “Ma.De”, ai që ka vënë në kontakt mbrojtësin me të miturën.
Bisedat
“Po fle këtu dhe nesër më çojnë në shtëpi.” Rreth orës katër të mëngjesit, vajza dyshohet se i ka dërguar këtë mesazh menaxherit të marrëdhënieve me publikun, Antonio Salomone, nga shtëpia e Alessandro Bastonit. Sipas akuzës, ajo, atëherë 17 vjeçe, do të kishte kaluar në shtëpinë e mbrojtësit të Interit një natë me marrëdhënie seksuale kundrejt pagesës, e organizuar nga një prej bashkëpunëtorëve të agjencisë. Futbollisti dhe PR-i tani akuzohen për prostitucion me të mitur.
Në një bisedë, sipas asaj që kanë mbledhur hetuesit, Salomone do t’i kishte komunikuar Bastonit gatishmërinë e vajzës për të kryer marrëdhënie seksuale, me kusht që ai ta kthente në shtëpi mëngjesin pasues. Një tjetër bisedë flet për një darkë me sushi.
“E mitura të dëshiron, sipas meje ka dëshirë të argëtohet”, do t’i kishte thënë Salomone, i cili më pas do të kishte organizuar një “darkë mes pak personash të afërt” për të favorizuar takimin. “A ka vende ku mund të fshihemi aty?”, do të kishte pyetur Bastoni.
Pagesa, natyrisht, do të mbulohej e gjitha nga futbollisti zikaltër.
Nën hetim janë gjithashtu edhe Emanuele Buttini dhe Deborah Ronchi, të konsideruar në krye të skemës dhe që aktualisht ndodhen në arrest shtëpie. Sipas hetuesve, pikërisht ata do të kishin drejtuar rrjetin e eskortave, darkave dhe festave. Të dy ishin akuzuar më parë për pastrim parash, favorizim dhe shfrytëzim prostitucioni.
Përveç njoftimit të hetimeve për Bastonin, Guardia di Finanza u ka dërguar ftesa për të dhënë informacione tre lojtarëve të tjerë, të cilët nuk janë nën hetim, por janë thirrur ekskluzivisht në cilësinë e dëshmitarëve: Daniel Maldini, Riccardo Calafiori dhe Kevin Bonifazi. Hetimi, i drejtuar nga prokurorja ndihmëse Bruna Albertini dhe prokurorja Rosaria Stagnaro në bashkëpunim me GdF-në, synon të çmontojë rrjetin e ngritur nga kjo agjenci.
AVOKATI — “Klienti im mohon të ketë pasur marrëdhënie me një vajzë për të cilën e dinte se ishte e mitur. Ftesa për t’u paraqitur të premten, më 3 korrik, është bërë ‘në errësirë’; ne nuk dimë asgjë rreth hetimeve. Do të vlerësojmë nëse do t’u përgjigjemi apo jo prokurorëve”. Këtë e deklaroi për agjencinë “Agi” avokati Salvatore Scuto, i cili mbron Alessandro Bastonin në këtë çështje.
Top Channel