Exclusive/ Shpyllëzime, ndotje dhe zjarrvënie pa autorë. Ekspertët: Krimi mjedisor po forcohet, cilat janë mangësitë

28/06/2026 21:44

Në përpjekjet për të zbërthyer qasjen e drejtësisë mjedisore, që duhet të identifikojë autorët dhe t’i vendosë përballë drejtësisë, Qendra Burimore e Mjedisit në Shqipëri ka skanuar institucionet.

Duke nisur nga policia si dera e parë ku trokitet për krimet mjedisore, nga më të lehtat deri tek të sofistikuarat, prokuroria që më pas heton dhe gjykatat që vendosin fajësi apo pafajësi.

Duke studiuar Tiranën si zonë urbane, Elbasanin si zonë e industrializuar dhe Korçën me pasuri pyjore, studimi tregon se si drejtësia ka dështuar të ndëshkojë, të dokumentojë me prova shkencore dhe të ketë një protokoll të qartë ku të përfshihen edhe inspektoratet mjedisore dhe ekspertët.

Një indikator i rëndësishëm i ndërgjegjësimit për të denoncuar dhe treguar krimet mjedisore është funksionimi i Komisariatit Dixhital. Përgjatë viteve 2015 deri në korrik të 2022 tregoi për kulturën dhe ndërgjegjësimin publik për të denoncuar krimet mjedisore, ku mesatarisht Policia e Shtetit raporton për Exclusive me Anila Hoxhën, se çdo vit u raportuan me fotografi ose u sinjalizuan në platformën online nga 500 deri në 1 mijë raste. Por ajo që ndodhi më tej është pezullimi i çështjeve dhe mospushimi i tyre.

Për shoqërinë civile, reagimet për të shpëtuar mjedisin përfshijnë jo vetëm parqet, bregdetin, lumenjtë dhe lagunat, por edhe biodiversitetin, si edhe ligjet që i garantojnë ato. Ndaj më i kontestuari ngelet ligji i ndryshuar për Zonat e Mbrojtura. Dhe një nga mjetet për të parandaluar dhe raportuar ndotjet mjedisore dhe çdo krim tjetër mjedisor është hapja e një tjetër platforme online.

“Platforma EJA është një platformë që krijon mundësi për të kryer raportime, për të gjetur informacione për institucionet që japin të dhëna. Aty është legjislacioni, rastet e trajtuara nga gjykatat apo organizatat e shoqërisë civile. Numri i gjelbër 0800 02929 është një numër ku mund të denonconi. Është një mundësi e mirë ku mund të trajtoni rastet që më pas u përcillen organeve të drejtësisë”, shprehet Mihallaq Qirjo.

Francesca Varlese, Project Manager e Delegacionit të BE-së thotë: “Të gjithë e dimë se krimi mjedisor nuk është një çështje e izoluar. Drejtori tashmë e theksoi se ai mund të jetë i ndërlidhur me krimin e organizuar, korrupsionin dhe pastrimin e parave. Organizatat kriminale po shfrytëzojnë boshllëqet në qeverisje dhe në zbatimin e ligjit. Kjo është një nga elementët që e bën këtë raport veçanërisht shumë aktual dhe të rëndësishëm, pasi ai ndihmon në identifikimin e mjeteve ekzistuese, evidentimin e dobësive dhe propozon zgjidhje praktike për t’i adresuar ato. Një nga gjetjet kryesore të raportit është se krimi mjedisor ende nuk përbën prioritet të lartë në sistemin shqiptar të drejtësisë penale. Megjithatë, duhet pranuar se po rritet ndërgjegjësimi mes autoriteteve shqiptare për nevojën që ky fenomen të trajtohet dhe të ndërmerren masa më të forta kundër tij. Autoritetet shqiptare tashmë i janë drejtuar Bashkimit Evropian për mbështetje në ngritjen e kapaciteteve të institucioneve administrative, por edhe të strukturave të zbatimit të ligjit. Aktualisht ne jemi në proces të mbështetjes së Policisë së Shtetit, si dhe të prokurorisë, për t’i bërë ato më proaktive në luftën ndaj krimit mjedisor. Ky është një hap thelbësor, sepse një raport i rëndësishëm i Europol tregon se krimi mjedisor mund të jetë po aq fitimprurës sa trafiku i paligjshëm i drogës”.

Eksperti i mjedisit, Mentor Kikia shprehet: “Kërkimi që u bë në kuadër të këtij projekti çoi në zbulimin e disa arsyeve, të cilat nuk shuajnë thjesht kuriozitetin ndaj një lufte të zbehtë, por adresojnë probleme që duhen të rregullohen si nga ana procedurale. Mund të përmendim ngarkesën që prokuroria ka, ku mbizotëron hetimi i krimeve ndaj individit apo formave të tjera të krimit, duke e parë krimin mjedisor si një formë luksi. Kjo sjell pushimin e çështjeve. Një tjetër gjetje është mungesa e ekspertizës, pasi krimi mjedisor ka nevojë për ekspertë që të provohet. Kjo bën që prokurorët të hasen në vështirësi të mëdha për të përpiluar akuzën. Aktualisht prokuroria e merr ekspertizën nga studio të pavarura dhe kjo krijon problem në dy drejtime, sepse hetimi duhet të jetë i shpejtë. Kemi raste zjarresh, shkarkimi gazrash në atmosferë dhe ekspertiza nuk mund të kryhet më vonë. Për më tepër, kur autorë janë korporatat që shkaktojnë probleme të tilla, rreziku është i madh dhe ekspertët mund të shesin aktet. Për këtë arsye, prokurorët sugjerojnë atashimin e ekspertëve pranë prokurorisë. Një tjetër problem madhor është edhe profilizimi i prokurorëve. Me përjashtim të Prokurorisë së Tiranës, rrethet e tjera nuk e kanë të profilizuar krimin”.

Vera Vasia, shefe e Krimeve në Volum në Policinë e Shtetit thotë: “Mund të kemi një plagosje, një grabitje, një vjedhje, por mund të kemi njëherazi një zjarrvënie, shpërdorim toke, ndotje ambienti, ndotje lumi. Është një gamë shumë e gjerë me të cilën punonjësi i policisë përballet çdo ditë dhe, sipas volumit, nxjerr edhe prioritetet. Por ama çdo vepër referohet, dokumentohet dhe dërgohet në prokurori”.

“Ne prisnim që në vitet e fundit, kur ka pasur numër të lartë rastesh, të kishim edhe çështje të hetuara nga prokuroria, por ende nuk kemi emra që mund të jenë dënuar. Vepra më e rëndë është zjarrvënia me pasojë dëmtimin e jetës dhe kemi vetëm një rast të tillë. Pra, në dhjetë vjet vetëm një rast ka mbërritur në Gjykatën e Apelit. Prokuroria vihet në lëvizje, por diçka ndodh. Nuk ka një harmoni mes asaj që raporton media dhe çfarë ndodh më pas, pa folur për rastet si prerja e drurëve frutorë, ndotja e ujit dhe ajrit. Krimi mjedisor duhet parë i gjithanshëm, sepse krimin mjedisor e bëjnë edhe lejet e ndërtimit të falsifikuara dhe jemi të befasuar se si zonat e mbrojtura, kullotat dhe malet, ajo që na takon neve, tjetërsohen me zjarr. Kemi parë zjarrvënie në Darëzezë, por nuk i kemi parë këto çështje të reflektuara në gjykatë”, shton eksperti Gert Shella.

Rasti flagrant i mungesës së ekspertizës, që shkaktoi bllokimin disa mujor të hetimeve për kontrabandimin e mbetjeve të rrezikshme nga Elbasani drejt Tajlandës, lidhet me çështjen e hapur nga Prokuroria e Durrësit pas bllokimit të 102 kontejnerëve me 2.800 tonë mbetje. Pavarësisht laboratorëve vendas, asnjë institucion nuk e mori përsipër kryerjen e ekspertizave, duke sjellë zvarritjen e hetimit për më shumë se një vit, derisa ekspertët italianë konfirmuan se mbetjet e Kurumit ishin me përmbajtje të lartë zinku dhe hekuri, të klasifikuara si të rrezikshme. Nën dyshimet se agjencitë nuk kishin funksionuar gjatë kontrollimit të lejes mjedisore, nuk ishin menaxhuar mbetjet dhe ishin falsifikuar praktikat për të fshehur të vërtetën, akuza e finalizoi hetimin me 33 masa sigurie, mes tyre edhe për dyshimet për pastrim parash.

Top Channel