Trump feston sot 80-vjetorin me një spektakël të arteve marciale në Shtëpinë e Bardhë, eventi miliona dollarë ngjall debate në SHBA

14/06/2026 08:57

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, feston sot 80-vjetorin e lindjes me një event të pazakontë në ambientet e Shtëpisë së Bardhë, ku do të zhvillohet një spektakël i madh i arteve marciale të përziera (MMA), i quajtur “UFC Freedom 250”.

Aktiviteti, i organizuar në kuadër të festimeve për 250-vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, do të mbahet në hapësirat e jashtme të Shtëpisë së Bardhë dhe do të përfshijë ndeshje mes luftëtarëve të njohur brenda kafazit karakteristik tetëkëndor të UFC-së.

Sipas organizatorëve, ngjarja do të shoqërohet edhe me banda ushtarake, demonstrime ajrore me avionë luftarakë, parashutistë dhe një shfaqje të madhe fishekzjarresh. Për publikun do të vendosen gjithashtu ekrane gjigante në zonën e National Mall në Uashington.

Kostoja e eventit raportohet të arrijë në rreth 60 milionë dollarë, ndërsa Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se shpenzimet nuk do të mbulohen nga taksapaguesit amerikanë. Vetë Trump e ka cilësuar aktivitetin si një “festim unik” për vendin dhe sportin, ndërsa drejtuesit e UFC-së kanë theksuar se eventi ka karakter ekskluzivisht sportiv.

Në program pritet të marrin pjesë emra të njohur të MMA-së, mes tyre Michael Chandler dhe Cyril Gane, të cilët kanë deklaruar se fokusi i tyre mbetet sporti dhe jo politika.

Megjithatë, organizimi i një eventi të tillë në Shtëpinë e Bardhë ka shkaktuar polemika. Kritikët e konsiderojnë aktivitetin të papërshtatshëm për simbolin më të rëndësishëm institucional të SHBA-së, veçanërisht në një kohë kur vendi përballet me sfida ekonomike dhe tensione ndërkombëtare.

Pavarësisht kundërshtimeve dhe kërkesave të disa banorëve për anulimin e aktivitetit, një gjykatë refuzoi kërkesat për bllokimin e tij. Ngjarja ka rikthyer gjithashtu debatin mbi mënyrën se si Trump përdor eventet me profil të lartë për të forcuar imazhin e tij publik dhe politik.

Top Channel