Laboratorë biologjikë në 30 vende, SHBA publikon listën: Potencial rreziku, përfshihet Ukraina

13/06/2026 15:09

Drejtoresha e shërbimit kombëtar të Inteligjencës në SHBA, DNI, bëri publike dokumente që, sipas institucionit që ajo drejton, tregojnë se qeveria amerikane ka financuar për vite me radhë mbi 120 laboratorë biologjikë në më shumë se 30 vende të botës, ku zhvillohen kërkime mbi patogjenë, përfshirë edhe disa me potencial rreziku.

Në një deklaratë të DNI-së theksohet se disa prej këtyre laboratorëve ndodhen në Ukrainë dhe mund të jenë të ekspozuar ndaj rreziqeve të kompromentimit për shkak të luftës së vazhdueshme me Rusinë.

Po ashtu, në deklaratë përmendet se komuniteti amerikan i inteligjencës kishte paralajmëruar më herët se një laborator i financuar nga SHBA në Ukrainë mund të mbante patogjenë të rrezikshëm dhe të ishte i cenueshëm ndaj sulmeve, sekuestrimeve apo dëmtimeve nga forcat ruse.

Ky publikim i pazakontë nga Tulsi Gabbard erdhi vetëm pak ditë para largimit të saj nga posti i drejtoreshës së DNI-së, institucioni që koordinon shkëmbimin e informacionit mes agjencive të ndryshme të inteligjencës amerikane.

Nuk është e qartë pse këto të dhëna u bënë publike në këtë moment dhe nëse ato sjellin ndonjë informacion të ri.

SHBA ka financuar prej vitesh masa për sigurimin dhe menaxhimin e objekteve kërkimore të trashëguara nga periudha e Luftës së Ftohtë, përfshirë ish-struktura sovjetike në vende si Ukraina dhe Gjeorgjia.

Rusia nga ana e saj e ka akuzuar vazhdimisht Uashingtonin për financimin e të ashtuquajturve “biolaboratorë” me qëllime ushtarake, akuza këto që pala amerikane i ka mohuar me forcë e i ka cilësuar si dezinformim.

SHBA është gjithashtu nënshkruese e Konventës së Armëve Biologjike të vitit 1975, e cila ndalon zhvillimin e armëve biologjike.

Top Channel