Kancelari gjerman Friedrich Merz mbërrin në samitin e Tivatit me një ide të njohur, por të paketuar në një formë të re: afrimin gradual të vendeve kandidate me Bashkimin Europian.
Për Ballkanin Perëndimor, pyetja kryesore mbetet nëse Berlini po ofron një përshpejtim real të procesit të integrimit apo thjesht një zgjidhje të ndërmjetme, thotë DW.
Më 18 maj, Merz u dërgoi një letër krerëve të BE-së. Edhe pse fokusi kryesor ishte Ukraina, kancelari gjerman trajtoi edhe perspektivën e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Moldavisë, duke propozuar “zgjidhje inovative” për përshpejtimin e rrugës së tyre drejt Bashkimit Europian.
Kjo qasje përputhet me konceptin e prezantuar në fillim të majit nga ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul, i cili mbështeti modelin e anëtarësimit gradual ose me faza. Ideja, e zhvilluar që në vitin 2021 nga European Policy Centre në Beograd dhe Centre for European Policy Studies në Bruksel, parashikon katër faza integrimi.
Çdo fazë sjell përfitime konkrete në këmbim të reformave konkrete. Vendet që kanë avancuar më shumë në procesin e integrimit jane Mali i Zi dhe Shqipëria. Podgorica synon të mbyllë të gjithë kapitujt negociues brenda këtij viti dhe të bëhet anëtare e BE-së në vitin 2028. Kjo ambicie mbështetet edhe nga sinjalet e fundit gjermano-franceze.
Shqipëria, e cila synon anëtarësimin në BE deri në vitin 2030, e ka mirëpritur propozimin gjerman.
“Nuk bëhet fjalë për krijimin e një Evrope me dy shpejtësi apo me dy klasa. Bëhet fjalë për të ecur drejt një Europe plotësisht të integruar, përmes fazave dhe zgjidhjeve kreative”, deklaroi Edi Rama në Bruksel më 26 maj.
Risia që sjell propozimi i Merzit është ofrimi i qasjes së privilegjuar në segmente të tjera të tregut të përbashkët evropian, si dhe mundësia për të pasur status vëzhguesi në institucionet e Bashkimit Europian.
Top Channel