Dy ditë para zgjedhjeve në Kosovë/ Arrestohet aktivisti i Listës Serbe, dyshohet se bleu vota
Harrojeni çdo gjë që kishit planifikuar për këtë verë! Ringjet ndërkombëtare po përgatiten për një tërmet të vërtetë.
Në atë që po cilësohet si një nga lëvizjet më surprizuese dhe më spektakolare të dekadës në peshat e rënda, gazetri Endi Tufa i Top Channel, mëson ekskluzivisht, se krenaria e boksit shqiptar, i pamposhturi Nelson Hysa (24-0), pritet të zyrtarizojë përballjen me legjendën absolute, Tyson “The Gypsy King” Fury! Teksa sytë e botës janë drejtuar te mega-përballja e tetorit mes Fury-t dhe Anthony Joshua-s, “Gypsy King” duket se ka vendosur të testojë veten përpara një prej rreziqeve më të mëdha të karrierës së tij të vonë: një “bishë” e uritur nga Shqipëria me një rekord të frikshëm prej 91% nokautesh.
Një përplasje titanësh me përmasa historike
Nga njëra anë qëndron gjiganti 206 cm nga Manchesteri, njeriu që u ngrit nga ferri për të dominuar divizionin e peshave të rënda. Nga ana tjetër qëndron Nelson Hysa, “Shqiponja” 196 cm nga Shkodra, një boksier me zemër luani që nuk e njeh fjalën “humbje” dhe që ka shkatërruar çdo kundërshtar që i ka dalë përpara në arenën europiane. Hysa nuk do të hyjë në ring thjesht si një kundërshtar; ai hyn si përfaqësues i një kombi të tërë që po përjeton një epokë të artë në boks.
Ekspertët britanikë tashmë kanë filluar analizat e kësaj çmendurie. Ndërsa Fury ka avantazhin e eksperiencës globale dhe gjatësisë, fuqia shpërthyese e Hysës dhe dëshira e tij për të shkruar historinë mund të kthehen në “kriptonitin” e anglezit. Një gabim i vetëm nga Fury në këtë sfidë përgatitore mund të hedhë në erë miliona dollarët e ndeshjes së tetorit me Joshua-n.
Boksierët shqiptarë: Zotërit e rinj të ringut!
Kjo ndeshje nuk vjen nga hiçi. Ky zyrtarizim, që pritet të tronditë mediat sportive këtë fundjavë, vërteton atë që flitej prej kohësh në korridoret e errëta të boksit: shqiptarët kanë pushtuar Britaninë! Me inkuadrimin e boksierëve tanë elitë në grupet më të mëdha menaxheriale angleze, rruga drejt majës ishte thjesht çështje kohe. Më 1 Gusht, nuk do të jetë thjesht një ndeshje boksi. Do të jetë dita kur një “Shqiponjë” do të fluturojë drejt e në strofullën e “Mbretit” për t’i treguar botës se zemra dhe grushti shqiptar nuk tremben nga askush. Bëhuni gati! Fundjava pritet të sjellë zyrtarizimin që do t’i vërë flakën verës. 1 Gushti do të flasë shqip!
Top Channel