Detaje të reja nga ngjarja e rëndë në Maliq/ Në banesën e autorit gjenden dy dronë, armë dhe radio të ngjashme me ato të policisë

05/06/2026 09:04
Vendngjarja

Zbulohen detaje të reja në lidhje me operacionin e djeshëm policor, ku Violand Braçellari në tentativë për t’i shpëtuar policisë, u kundërpërgjigj me armë dhe qëlloi për vdekje efektivin Enea Mekollin, si dhe plagosi Edison Adrin.

Pas arrestimit të autorit të ngjarjes, policia ka bërë këqyrjen e zonës.

Hetimet kanë zbuluar në stanin ku fshihej Violand Braçellari 3 armë: armën kallashnikov me të cilën qëlloi mbi policinë, një pushkë model 56 dhe një çifte.

Nga kontrollet nuk është gjetur municion, çka bën të besohet se Braçellari e ka përdorur të gjithë arsenalin që posedonte për të qëlluar mbi efektivët e përfshirë në operacionin për kapjen e tij.

Në vendin ku fshihej i shumëkërkuari, policia ka gjetur edhe një radio policie dhe, gjatë zhvillimit të operacionit, efektivët kanë fikur radiot e tyre për të mos interferuar me atë të Braçellarit.

Siç raporton gazetarja e Top Channel Dorjana Bezat, mes sendeve të gjetura rezultojnë edhe dy dronë dhe 3 radio nga ato që përdor policia për ndërlidhje.

Braçellari vijon të jetë nën trajtim mjekësor, pasi mbeti i plagosur pas shkëmbimit të zjarrit me policinë.

Top Channel