Incidentet ajrore me dron trondisin Evropën/ Putini mbjell panik, por kundërveprimet përçajnë BE-në dhe NATO-n

31/05/2026 13:23

Një dron rus ka goditur qytetin e Galați në Rumani të premten ndërsa një tjetër incident në Gjermani ka rritur më tej shqetësimet e sigurisë në Evropë.

Të shtunën në mëngjes, aeroporti i Mynihut u mbyll për rreth një orë pas një alarmi të ngritur për shkak të “një pamjeje të dyshimtë”, siç deklaroi zëdhënësi i Policisë Federale, Stefan Bayer. Sipas autoriteteve, disa pilotë kishin raportuar një “objekt fluturues”. Alarmi u hoq shpejt dhe fluturimet rifilluan, por tensionet në Gjermani dhe në të gjithë Evropën Lindore mbeten të larta.

Sipas analizës, i gjithë krahu lindor i NATO-s beson se për javë të tëra Vladimir Putin ka ndërmarrë manovra që synojnë të mbjellin frikë dhe përçarje në Kontinentin e Vjetër. Ukraina dhe Rusia vijojnë të jenë në qendër të zhvillimeve, ndërsa situata e sigurisë në rajon po monitorohet me kujdes të shtuar.

Në këtë kontekst, thuhet se Kremlini ka shtuar jo vetëm sulmet me dronë, por edhe ndërhyrjet kibernetike, duke i bërë provokimet më të dukshme dhe më shqetësuese për opinionin publik. Megjithatë, theksohet se nuk ka prova të mjaftueshme për të mbështetur plotësisht këtë teori. Në Rumani, incidenti mund të ketë qenë aksidental, ndërsa në Mynih bëhet fjalë për shqetësim të tepruar, megjithëse aeroporti i qytetit gjerman u bllokua për të njëjtën arsye për dy mbrëmje radhazi midis 2 dhe 3 tetorit 2025.

Ngjarjet e fundit po shkaktojnë përplasje dhe debate të forta brenda Bashkimit Evropian dhe Aleancës Atlantike. “Fronti i alarmit” shtrihet nga veriu në jug, duke filluar nga Finlanda, duke përfshirë Danimarkën, vendet baltike, Poloninë dhe duke arritur deri në Rumani.

Sipas analizave dhe kontakteve me përfaqësues të vendeve të ndryshme evropiane, përfshirë Ministren e Jashtme rumune Oana Toiu, Ministrin e Jashtëm të Estonisë Margus Tsahkna, Ministrin e Jashtëm të Lituanisë Kestutis Budrys dhe Sekretaren e Përhershme në Ministrinë finlandeze të Mbrojtjes Janne Kuusela, situata shihet si pjesë e një presioni të qëllimshëm rus.

Së pari, sipas këtyre vlerësimeve, Putin ndodhet në vështirësi, lufta nuk po zhvillohet sipas pritshmërive të tij, ndërsa sulmet ukrainase po bëhen gjithnjë e më të rrezikshme. Gjithashtu, rënia ekonomike e lidhur me luftën po ndikon në burimet dhe mirëqenien e popullsisë ruse. Në planin politik dhe diplomatik, situata komplikohet më tej nga vendimi amerikan, i njoftuar nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio, për t’u tërhequr nga negociatat.

Analiza sugjeron se fuqia negociuese e Kremlinit po dobësohet, por jo në atë masë sa ta detyrojë Putinin të ulet në tryezën e bisedimeve dhe të pranojë një marrëveshje të plotë. Përkundrazi, sipas këtij këndvështrimi, Rusia po teston unitetin e vendeve evropiane dhe po synon të rrisë pasigurinë dhe frikën tek publiku.

Ky skenar shihet ndryshe nga disa shtete të BE-së më larg kufirit rus, si Gjermania, Franca, Italia dhe Spanja.

Megjithatë, problemet lindin kur shtrohet pyetja kryesore: si duhet t’i përgjigjet Evropa kësaj faze të re të zhvillimeve, nëse ky është realisht qëllimi i Rusisë? Deri tani, uniteti duket i qëndrueshëm në nivelin e sanksioneve, me Brukselin që po punon për paketën e 21-të të masave, e cila kërkon miratim unanim, përfshirë edhe Hungarinë.

Ndërkohë, vendet e veriut dhe lindjes së Evropës po shtyjnë për një vendim më të madh politik: anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian deri në vitin 2027. Sipas tyre, kjo është kërkesa kryesore e presidentit Volodymyr Zelensky, pasi anëtarësimi në BE shihet si garanci sigurie.

Traktati i Lisbonës, në nenin 42 paragrafi 7, parashikon një mekanizëm të ngjashëm me nenin 5 të NATO-s, ku shtetet anëtare detyrohen të ndihmojnë një partner të sulmuar.

Megjithatë, jo të gjitha vendet evropiane janë të gatshme për një hap të tillë, dhe një përballje e ndërlikuar politike dhe diplomatike pritet të thellohet në vijim, ndërsa BE përballet me vendime strategjike mbi të ardhmen e Ukrainës dhe sigurinë e kontinentit.

Top Channel