Nga njëra anë janë mbajtësit e trofeut që ëndërrojnë ta fitojnë për të dytin vit radhazi, nga ana tjetër janë kampionët e Premier League, për një triumf që do të ishte historik.

Paris Saint Germain dhe Arsenal janë gati të luajnë finalen e Ligës së Kampioneve në Budapest. Puskas Arena do të presë një akt final historik dhe plot emocione që do të përfshijë 2 skuadrat më të mira të sezonit evropian.

Futbolli evropian do të ndalet në orën 18:00, për atë që do të jetë ndeshje e fundit prestigjioze e sezonit përpara se t’i jepet hapësira Botërorit dhe skuadrave kombëtare. Paris Saint Germain dhe Arsenali tashmë janë gati të luajnë aktin e fundit të Ligës së Kampioneve në atë që do të jetë finalja e parë e epokës së re: nuk do të ketë më prime time, me një orar të ri për emocionet e trofeut më të lakmuar.

Nga njëra anë është Luis Enrique që ëndërron dopietën me PSG e tij, që vjen pas një dueli me tension të lartë me Lens në Ligue 1. Francezët triumfuan vitin e kaluar kundër Interit dhe vijnë në finalen e këtij viti pas një rrugëtimi të ngjasjëm; playoff kundër Monaco për të fituar më pas me Chelsea, Liverpool dhe Bayernin e Mynihut. Sfida e dyfishtë me gjermanët ishte një finale autentike e parakohshme plot me gola dhe surpriza, 5-4 ndeshja e parë, tension i lartë në sfidën e kthimit

Kvicha Kvaratkhelia ëndërron trofeun që do ta vendoste mes kandidatëve për Topin e Artë pas një Champions League me statistika 2-shifrore, ndërsa Dembele dhe Doue duan të shkojnë në Botëror me një fitore të madhe pas një viti plot me probleme fizike dhe dëmtime. Në rrugën e francezëve është Arsenali i Mikel Artetës. Topçinjtë fituan Premier League pas 22 vitesh dhe tani kërkojnë dopietën e trofeve që do t’i jepte një tjetër dimension projektit londinez. Saka dhe të tjerët erdhën në aktin final pas një rrugëtimi më të lehtë, falë vendit të parë në Fazën e Ligës; në 1/8 e finaleve kundër Leverkusen, çerekfinalet kundër Sporting Lisbonë dhe gjysmëfinalet kundër Atletico Madrid. Më pak spektakel dhe shumë konkretizim për Arsenal që nuk është i favorizuar në këtë përballje me PSG, por që kërkon të bëjë historinë. 

Vështirë se do të ketë surpriza në zgjedhjet e trajnerëve, me Luis Enrique që rikuperon Nuno Mendes. Portugezi do të plotësojë mbrojtjen me Hakimin në të djathtë dhe Marrquinhos e Pacho në qendër. Mesi i fushës me Joao Neves së bashku me Vitinha dhe Fabian Ruiz, ndërsa sulmi do të shohë Dembele së bashku me Kvaratskhelia dhe Doue.

Arteta do të përgjigjet me skemën klasike 4-2-3-1 dhe mund të hedhë në fushë Odegaard i preferuar kundrejt Eze. Në krahë do të jenë Saka dhe Trossard, përpara Gyokeres me Rice dhe Zubimenin në mesin e fushës dhe Calafiori,titullar në repartin e mbrojtjes. Kush do të fitojë mes kampionëve të Anglisë dhe atyre të Francëa? Do ta zbulojmë nga ora 18:00 e më tutje.

Top Channel