Tragjedi në Kinë/ Shpërthim në një minierë qymyri, të paktën 82 të vdekur

23/05/2026 07:16

Një shpërthim i fuqishëm gazi në një minierë qymyri në veri të Kinë ka shkaktuar një tragjedi të rëndë, duke lënë të paktën 82 të vdekur, sipas mediave shtetërore kineze.

Ngjarja ndodhi në minierën e qymyrit Liushenyu, në qytetin Changzhi të provincës Shanxi, një nga zonat kryesore të industrisë së qymyrit në vend. Sipas televizionit shtetëror CCTV, operacionet e shpëtimit vijojnë ende, ndërsa autoritetet po përpiqen të përcaktojnë numrin e saktë të viktimave dhe të personave që mund të kenë mbetur të bllokuar nën tokë.

Agjencia shtetërore e lajmeve Xinhua raportoi se nivelet e monoksidit të karbonit brenda minierës kishin kaluar kufijtë e lejuar, çka dyshohet se lidhet me shpërthimin fatal.

Sipas të dhënave paraprake, aksidenti ndodhi rreth orës 19:30 me orën lokale të së premtes, në momentin kur 247 minatorë ndodheshin nën tokë. Deri në orët e para të mëngjesit të së shtunës, të paktën 201 persona ishin evakuuar nga miniera.

Autoritetet kineze kanë nisur hetimet për të zbuluar shkaqet e aksidentit, ndërsa presidenti Xi Jinping ka kërkuar “një operacion të plotë shpëtimi” për gjetjen e të zhdukurve dhe një hetim të thelluar për përgjegjësit e ngjarjes.

Provinca Shanxi konsiderohet zemra e industrisë së qymyrit në Kinë, por prej vitesh është përballur me kritika për standardet e dobëta të sigurisë në miniera dhe aksidentet e shpeshta fatale.

Top Channel