Përfshihet nga flakët një nga rafineritë më të mëdha në Indi, zjarri nisi pas një pas një shpërthimi të fortë

02/11/2026 19:45

Një zjarr i madh shpërtheu në një ndër rafineritë më të madhe të naftës në Indi, duke shkaktuar panik te banorët e zonave përreth, ndërsa raportime sugjerojnë se zjarrit i ka paraprirë një shpërthim.

Sipas “The New Indian Express”, flakë të mëdha u ngritën mbi kompleksin industrial, ndërsa shtëllunga të dendura tymi të zi mbuluan qiellin.

Dëshmitë e punonjësve flasin për një zhurmë të fortë, që ngjante me një shpërthim, pak para se të niste zjarri, megjithëse nuk është konfirmuar zyrtarisht nëse ka pasur vërtet një shpërthim.

“Dëgjuam shpërthime në zonë. Flakët u përhapën me shpejtësi dhe shtëllunga të dendura tymi të zi u ngritën në qiell”, tha një punonjës i rafinerisë.

Ekipet e brendshme të zjarrfikësve të rafinerisë, si dhe automjete zjarrfikëse nga pjesë të ndryshme të qytetit, mbërritën me urgjencë në vendngjarje për të vënë flakët nën kontroll dhe për të parandaluar përhapjen e zjarrit.

Sipas informacioneve nga “The New Indian Express”, zjarri shpërtheu në një depozitë nafte, në njësinë e përpunimit të mbetjeve të rafinerisë.

Një përfaqësues i rafinerisë shpjegoi se tymi i dendur vinte si pasojë e viskozitetit të lartë të materialit që ruhej në depozitë.

Për arsye sigurie, drejtuesit e rafinerisë ndërprenë furnizimin me energji elektrike në zonën e prekur dhe evakuuan punonjësit drejt vendeve të sigurta.

Njëkohësisht, forca policore u vendosën përreth objektit, duke bllokuar hyrjen në zonë.

Shumë banorë dolën nga shtëpitë e tyre kur vunë re zjarrin dhe panë shtëllunga të dendura tymi që ngriheshin mbi rafineri.

Sipas një zëdhënësi të kompanisë, deri më tani nuk raportohet për të lënduar apo viktima si pasojë e incidentit.

Shkalla e dëmeve materiale nuk është vlerësuar ende, ndërsa shkaku i saktë i zjarrit mbetet nën hetim.

Rafineria e HPCL-së në Visakhapatnam është një nga objektet kryesore të përpunimit të naftës në bregun lindor të Indisë.

 

Top Channel