Trump sulmon demokratët para zgjedhjeve të mesmandatit: Kandidatët e tyre janë njerëz të rrezikshëm, mbështesin xhihadistët
Nëntë burra në gjyq për përdhunimin e një gruaje që drogohej prej bashkëshortit prej më shumë se 20 vitesh.
Siç raporton CNN, nëntë burra kanë dalë para gjykatës në Mançester të Anglisë, të akuzuar për përdhunimin dhe abuzimin seksual të një gruaje, e cila dyshohet se drogohej nga bashkëshorti i saj për më shumë se dy dekada, në mënyrë që të mos ishte në gjendje të reagonte apo të kundërshtonte.
Seanca e parë e gjyqit nisi të hënën, ndërsa prokuroria pretendon se të akuzuarit kishin krijuar kontakte me bashkëshortin e viktimës përmes grupeve online ose një faqeje interneti për çifte që praktikonin shkëmbimin e partnerëve. Ata ishin njohur me të pasi burri kishte shpërndarë në internet fotografi dhe video të abuzimit seksual ndaj bashkëshortes së tij.
Sipas prokurorëve, bashkëshorti, një burrë rreth të 60-ave nga Stockport, në veri të Anglisë, fillimisht përfitonte nga momentet kur gruaja kishte konsumuar mjaftueshëm alkool për të rënë në gjumë të thellë.
Më vonë, ai nisi të përdorte një kombinim substancash narkotike për ta mbajtur atë të pavetëdijshme gjatë abuzimit.
Që nga viti 2023, ai nisi të ftonte burra të tjerë në banesën e tyre dhe, ndërsa bashkëshortja e tij qëndronte e pavetëdijshme në shtrat, filmonte veten dhe të tjerët duke e përdhunuar dhe abuzuar seksualisht”, deklaruan prokurorët para gjykatës.
Bashkëshorti i viktimës, i cili nuk mund të identifikohet për të mbrojtur privatësinë e saj, pranoi në shtator fajësinë për disa vepra penale, përfshirë përdhunimin, sulmin seksual dhe administrimin e substancave me qëllim për ta droguar ose për ta bërë të paaftë për të reaguar. Ai ndodhet në paraburgim dhe do të dënohet në një datë të mëvonshme.
Ndërkohë, nëntë burrat që po gjykohen i mohojnë akuzat. Katër të bashkëpandehur të tjerë kanë pranuar tashmë fajësinë për vepra penale seksuale.
Rasti u zbulua pasi gazetarë investigativë, të infiltruar në një prej grupeve online, identifikuan një përdorues që pretendonte se kishte droguar bashkëshorten dhe ftonte persona të panjohur për ta abuzuar atë seksualisht, ndërsa ajo ishte pa ndjenja.
Pas identifikimit të tij, policia mori një urdhër për kontrollin e banesës, ku sekuestroi disa sende, mes tyre edhe një telefon Samsung Galaxy. Sipas prokurorisë, në pajisje u gjetën më shumë se një milion fotografi dhe video që dokumentonin abuzimin.
Në gjykatë u bë e ditur se çifti kishte qenë në një lidhje prej 44 vitesh dhe kishte dy fëmijë së bashku. Gruaja deklaron se nuk i kishte takuar kurrë të pandehurit dhe nuk kishte pasur dijeni për kontaktet seksuale me ta.
Ajo mësoi për abuzimin vetëm në tetor të vitit 2025, kur policia mbërriti në banesën e tyre. Sipas prokurorëve, zbulimi i së vërtetës i dha fund jetës që ajo kishte njohur deri në atë moment.
Top Channel