Futbolli shpeshherë na kujton se është shumë më tepër se një lojë; është një histori e gjallë njerëzore, e mbushur me gëzime, triumfe, por ndonjëherë edhe me tragjedi që të thyejnë zemrën.

Rrugëtimi i Portugalisë drejt Kupës së Botës 2026 mbart një peshë emocionale që asnjë trofe nuk mund ta masë. Këtë herë, ata nuk udhëtojnë thjesht si një ekip futbolli, por si një familje që mban mbi supe ëndrrën e një vëllai të rënë: Diogo Jota.

Humbja tragjike e Jotës dhe vëllait të tij, André Silva, në atë ditë të errët të korrikut 2025, la pas një boshllëk të pariparueshëm. Në moshën 28-vjeçare, një yll u shua në rrugët e veriut të Spanjës, por drita e tij vazhdon të udhëheqë luzitanët.

Trajneri Roberto Martínez, me sytë nga qielli dhe me zemrën te skuadra, theu rregullat e ftohta të numrave burokratikë për të krijuar një koncept që i rrëqeth mishin çdokujt: “27+1” . Lista nuk përbëhet vetëm nga 27 lojtarët fizikë—përfshirë portierin e katërt, Ricardo Velho, i cili qëndron në gatishmëri të plotë për grupin—por nga ai i ashtuquajturi “Plus Një”. Ky lojtar nuk ka trup, nuk ka nevojë për stërvitje, por mbart forcën, shpirtin dhe shembullin monumental të Diogo Jotës. Ai është aty, i padukshëm por absolutisht i pranishëm: në dhomat e zhveshjes, në himnin kombëtar dhe në çdo vrapim drejt portës kundërshtare.

Dhe askush nuk e ndjen këtë prani më shumë se miku i tij më i ngushtë, Rúben Neves. Të zbresësh në fushë duke mbajtur në shpinë fanellën me numrin 21 nuk është më thjesht një zgjedhje numerike; është një premtim i heshtur, një barrë dashurie dhe një homazh që tejkalon jetën vetë. Kur Neves shënoi dhe puthi atë numër në fanellën e tij, ai dërgoi një mesazh drejtpërdrejt në përjetësi. Ishte një dëshmi vizuale se Jota nuk i ndali statistikat e tij në 49 ndeshje e 14 gola për Portugalinë; ai do të vazhdojë të “shënojë” dhe të “luajë” përmes vëllezërve të tij në fushë.

Kjo e Portugalisë në Botërorin 2026 nuk është më thjesht një fushatë sportive. Është një pelegrinazh nderimi. Ata mund të rreshtohen me 11 lojtarë në fushën e blertë, por bota mbarë e di mirë të vërtetën: Portugalia luan gjithmonë me 12. Shpirti i Diogo Jotës është aty. Ai është Plus One, sot dhe përgjithmonë.

Top Channel