Rikthehet “Punë pa teka”/ Sezoni i tretë në Top Channel sjell adoleshentët përballë punës reale

19/05/2026 16:11

Punë pa teka rifillon në Top Channel nga 19 maji, çdo të martë në orën 21:00.

“Jam shumë e lumtur për besimin që më është dhënë dhe gjithë përgjegjësinë që vjen pas”, tha moderatorja Kristi Gongo.

“Punë pa teka” është një pasqyrë e realitetit, që sjell një ditë pune në profesione të ndryshme me ndjeshmërinë e Kristi Gongos, si autore dhe moderatore e emisionit. Si risi e sezonit të tretë është edhe angazhimi i 50 adoleshentëve, me synimin që “Punë pa teka” të bëhet një urë lidhëse brezash dhe që t’i drejtojë të rinjtë drejt punës.

“Sezoni i tretë i ‘Punë pa teka’ vjen në përgjigje të një krize që ka mbërthyer adoleshentët dhe si një dritare e re në televizion për t’iu treguar atyre pikërisht modele pune, duke i përfshirë ata direkt, për të kuptuar vlerën e parasë, se sa e vështirë është të punosh çdo ditë me përkushtim, me ndershmëri e dinjitet. I përballim kështu me këtë realitet, për t’i shkëputur nga bota virtuale ku ata shpenzojnë orë të tëra”, tha moderatorja Kristi Gongo.

Kristi tregon se organizimi është sfidues, që te pranimi i të rinjve për të përveshur mëngët në punë.

“Në fillim, fakti që nuk e kanë parë një gjë të tillë, i bën paksa skeptikë. Nuk duan të zgjohen herët, kanë ato tekat e tyre pa filluar puna. Në momentin që përfshihen në një ditë pune, në përfundim të saj, përshtypjet janë të jashtëzakonshme”, tha moderatorja Kristi Gongo.

Ndaj, autorja e programit vlerëson me rëndësi orientimin e të rinjve drejt modeleve të punës, mision që po përmbushet nga Top Channel falë edhe mbështetjes nga Ambasada e Zvicrës.

“Morëm mbështetjen e Ambasadës Zvicerane në Shqipëri, përmes programit të bashkëpunimit zviceran, ku kanë investuar aty ku është më shumë nevoja, me në fokus punën. Kjo e bën këtë partneritet të unifikuar për sa kohë qëllimin e kemi të përbashkët për të edukuar njerëzit me modele pune”, tha moderatorja Kristi

Top Channel