Tirana College of Technology mblodhi në Tiranë dhjetëra maturantë nga i gjithë vendi, në konkursin “Energy Challenge”, që synon të promovojë talentet e reja dhe të nxisë zhvillimin e inovacionit teknologjik në vend.

Projektet e prezantuara fokusoheshin tek eficienca energjitike, qytetet inteligjente dhe përdorimi i inteligjencës artificiale në zgjidhjen e problematikave urbane dhe mjedisore. Drejtuesit e Tirana College of Technology vlerësuan nivelin e lartë të pjesëmarrjes dhe cilësinë e ideve të paraqitura nga maturantët.

“Jemi mjaft të vlerësuar si institucion mbi pjesëmarrjen e shumë gjimnazistëve, të cilët prezantuan punimet e tyre në fushën e përdorimit eficient të energjisë dhe energjisë së rinovueshme, urbanistikës së qyteteve me përdorim eficient të energjisë dhe në fusha të tjera të cilat janë me interes për qytetarët”, u shpreh Prof. Dr. Andonaq Lamani, Rektor i Tirana College of Technology.

Sipas organizatorëve, konkursi synon të orientojë të rinjtë drejt formimit inxhinierik dhe teknologjik, si një nga fushat më të kërkuara të së ardhmes.

“Tirana College of Technology u ka dhënë mundësinë të gjithëve të edukohen në fushën e inxhinierisë, fushë që nuk do të vdesë kurrë. Industrializimi që po sjell inteligjenca artificiale është një e ardhme që duhet t’i formatojë ata në tregun e punës”, tha Dr. Gjergji Simaku, President i Tirana College of Technology.

Në përfundim të garës, vendi i parë u fitua nga një grup prej tri vajzash maturante të shkollës Gjergj Pekmezi në Pogradec, me projektin “Filtri Satelitor Dron i Ajrit”, i fokusuar në monitorimin dhe filtrimin efikas të ndotjes së ajrit. Përveç çmimit monetar prej 1.500 euro, ekipi fitues përfitoi edhe bursë 100% studimi.

Gjithashtu, edhe shkolla e tyre përfitoi një sistem panelesh diellore 10KW, si shenjë vlerësimi për mbështetjen që i japin nxënësve. Çmime monetare dhe bursa studimi u dhanë dhe për fituesit e vendit të dytë dhe të tretë, ndërsa të gjithë pjesëmarrësit u pajisën me certifikata.

Top Channel