Dy të vdekur dhe katër të plagosur në një sulm të armatosur në Spanjë, në kërkim autori i krimit

19/05/2026 12:01

Të paktën dy persona janë vrarë dhe katër të tjerë kanë mbetur të plagosur në një sulm me armë në qytetin jugor spanjoll El Ejido, sipas raportimeve të mediave lokale.

Gazeta El País bën të ditur se incidenti është regjistruar rreth orës 23:15 të mbrëmjes së kaluar, ndërsa autori i dyshuar i sulmit është ende në arrati.

Pas ngjarjes, forca të shumta të Gardës Civile, përfshirë edhe njësi të Ekipit të Veprimit të Shpejtë, janë vendosur në zonë. Në vendngjarje kanë mbërritur gjithashtu edhe ekipet mjekësore për të ofruar ndihmën e parë për të plagosurit.

Sipas burimeve, mes të plagosurve janë edhe dy të mitur, ndërsa situata në zonë mbetet e tensionuar për shkak të kërkimeve për autorin. Një zëdhënës i policisë ka deklaruar se dy viktimat ishin të afërm të personit që dyshohet se ka kryer sulmin, por pa dhënë detaje të mëtejshme mbi motivet apo rrethanat e ngjarjes.

Autoritetet spanjolle po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit dhe kapjen e autorit të dyshuar.

Top Channel