Putin takim me Xi Jinping/ Nga energjia te Ukraina, cilat janë temat që priten të diskutohen mes dy liderëve

19/05/2026 17:27

Presidenti rus Vladimir Putin do të zhvillojë një vizitë dyditore në Pekin, ku pritet të takohet me homologun kinez Xi Jinping në një moment delikat për balancat globale dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.

Kreu i Kremlinit shoqërohet nga një delegacion i gjerë zyrtarësh dhe drejtuesish të kompanive strategjike ruse.

Në delegacion bëjnë pjesë ministri i Jashtëm Sergej Lavrov, guvernatorja e Bankës Qendrore, drejtues të kompanive shtetërore të energjisë si Rosneft dhe Gazprom, si edhe presidentë bankash dhe grupe industriale. Takimi me Xi është planifikuar për të mërkurën dhe synon forcimin e “partneritetit strategjik të privilegjuar dhe të veçantë” mes dy vendeve, siç e cilëson Kremlini.

Vizita përkon me 25-vjetorin e Traktatit të Marrëdhënieve të Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit Miqësor mes Rusisë dhe Kinës. Ajo vjen gjithashtu pak ditë pas përfundimit të vizitës së Donald Trump në Pekin, duke konfirmuar rolin gjithnjë e më qendror të Kinës në skenën globale.

Një nga temat kryesore të bisedimeve pritet të jetë energjia, veçanërisht projekti ambicioz “Fuqia e Siberisë 2”, një gazsjellës i ri që do të lidhë fushat arktike ruse me Kinën veriore përmes Siberisë dhe Mongolisë. Projekti synon të furnizojë Pekinin me rreth 50 miliardë metra kub gaz në vit dhe konsiderohet kyç për strategjinë energjetike të të dy vendeve.

Moska po kërkon të forcojë Kinën si blerësin kryesor të energjisë ruse pas sanksioneve perëndimore të vendosura për shkak të luftës në Ukrainë. Nga ana tjetër, Pekini synon të garantojë sigurinë energjetike në një periudhë tensionesh globale dhe pasigurish në tregjet ndërkombëtare.

Në qendër të takimit pritet të jetë edhe lufta në Ukrainë. Rusia përballet me vështirësi në front dhe me presion të shtuar pas kundërsulmeve ukrainase, ndërsa Kina vijon të paraqitet si palë neutrale, duke bërë thirrje për negociata pa dënuar hapur Moskën.

Këshilltari presidencial rus Yuri Ushakov deklaroi se marrëdhëniet ruso-kineze kanë “efekt stabilizues” në situatën aktuale ndërkombëtare, ndërsa zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se procesi i paqes në Ukrainë aktualisht është “pezulluar”.

Takimi Putin-Xi pritet të prekë edhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Kremlini po ndjek me kujdes afrimin e mundshëm mes Pekinit dhe Uashingtonit, pasi një bashkëpunim më i ngushtë mes dy superfuqive mund të zvogëlojë ndikimin strategjik të Moskës.

Një tjetër fushë bashkëpunimi mes Rusisë dhe Kinës mbetet teknologjia ushtarake dhe inteligjenca artificiale. Moska mund të ofrojë eksperiencën e saj në fushën e dronëve, raketave dhe luftës robotike, ndërsa nga Kina kërkon mbështetje në inteligjencën artificiale dhe furnizimin me minerale strategjike.

Vizita konsiderohet një përpjekje e Putinit për të treguar se Rusia mbetet një partner i rëndësishëm global, ndërsa Xi Jinping synon të ruajë balancën mes aleancës me Moskën dhe interesave të Kinës në arenën ndërkombëtare.

Top Channel