Mitet elektorale rreth pensionistëve dhe punonjësve të sektorit publik
Nga Ervis Iljazaj
Ka disa procese gjyqësore të cilat kalojnë përtej fatit individual të një ose disa personave që janë pjesë e tij. Ato prekin ndjeshmëri të gjera të opinionit dhe interesit publik, dhe në këtë kuptim duhet të marrin një vëmendje të shtuar nga sistemi gjyqësor. Të tilla janë proceset të cilat po zhvillohen për disa nga personazhet politike të Shqipërisë të cilët ka patur një rol të rëndësishëm në vendmmarrje dhe në politikën shqiptare të 35 viteve të fundit. Bëhet fjalë për gjyqet ndaj Sali Berishës, Ilir Metës, Erion Veliajt apo politikanë të tjerë të rëndësishëm që janë nën hetim ose të akuzuar nga Prokuroria e Posacme SPAK.
Këto gjyqe për faktin se prekin ndjeshmëri të rëndësishme të jetës publike shqiptare dhe ndikojnë apo kanë ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në jetën politike të vendit, kanë nevojë që të kenë një produkt sa më të shpejtë dhe më të qartë. Nëse për to nuk ka një vendmmarrje në një kohë relativisht të arsyeshme dhe sistemi gjyqësor shqiptar nuk del në një konkluzion, atëherë dyshimet se ato kanë qenë produkte të lojës politike rriten. Nëse këto gjyqe vashdojnë pa fund, besueshmëria ndaj SPAK apo GKKO e qytetarëve sa do të vijë e do të ulet.
SPAK dhe GJKKO ka patur meritën që për herë të parë në tranzicionin shqiptar institucione të drejtësisë u kthyen në institucionet më të besueshme për publikun, dhe kjo është një arritje goxha e madhe. Gjithashtu, organet e reja të drejtësisë kanë patur meritën që të tregojnë kurajon për të hetur njerëz me pushtet në Shqipëri si asnjëherë më parë, duke thyer një mentalitet të rrënjosur në Shqipëri se njerëzit me pushtet nuk preken.
Mirëpo përfundimi i këtyre gjyqeve është ndoshta një sfidë akoma më e madhe për sitemin e drejtësisë. Shqiptarët, momenti ku ndodhet Shqipëria dhe shumë elementë të tjerë kërkojnë që hetimet dhe procese gjyqësorë ndaj emrave kaq të rëndësishëm të pushtetit të arrijnë në një vendimmarrje në interes të së ardhmes së politikës dhe drejtësisë.
Nuk ka rëndësi nëse këta njërëz të pushtetshëm janë të pafajshëm apo të fajshëm, rëndësi ka që ndaj tyre të kryhet një proces i drejtë, dhe mbi të gjitha, një proces që shkon drejt një përfundimit. Në të kundërt, aludimet se me këto procese po zhvillohen lojëra politike dhe se SPAK apo GJKKO është përdorur për ndikim politik, do të rriten gjithmonë dhe më shumë dhe do t’i shkaktojnë një dëm të parikuperueshëm drejtësisë së re.
Gjyqet ndaj ish Presidentit të Republikës, ndaj liderit të opozitës, apo Kryetarit të Bashkisë Tiranë, nuk mund të konsiderohen ose të trajtohen njësoj si çdo proces gjyqësor tjetër sepse ato prekin interesa politike dhe publike të Shqipërisë.
E njëjta gjë ndodhi me procesin gjyqësor në konfliktin për logon e Partisë Demokratike. Një proces që për turpin e gjykatave shqiptare zgjati tre vite, pa asnjë arsye thelbesore juridike. Si mundet që partinë më të madhe të opozitës ta lësh në një konflikt gjyqësor për tre vite ? Në këtë mënyrë duke zgjatur gjyqin pa fund u cënua drejtpërdrejt gara demokratike në Shqipëri duke i dhënë një avantazh të qartë Partisë Socialiste.
Në këtë kuptim, të gjitha gjyqet që kanë protagonistë politikanë të rëndësishëm kanë nevojë për një vëmendje dhe një impenjim të shtuar nga ana e sistemit gjyqësor. Ato nuk mund të trajtohen si gjyqet për konfliktet e një gardhi apo çështje të tjera të rëndomta. SPAK dhe GJKKO do t’i bënte një shërbim të madh interesit publik shqiptar, drejtësisë dhe politikës nëse arrin në mënyrë të qartë dhe të shpejtë në një përfundim, çfarëdo qoftë ky përfundim.
Top Channel