Analiza/ Artan Fuga: Individi me maskë kundërgaz përballë makinës së çmendur ujëhedhëse në bulevard. A është kjo një kryengritje paqësore që çmonton qeverisjen e sotme?

10/05/2026 10:34

Nga Artan Fuga

Individi me maskë kundragaz përballë makinës së çmendur ujëhedhëse në bulevard!
(Pamje tekno-apokaliptike shqiptare në shekullin 21)
Është histori tjetër të gjykosh nëse është një taktikë e e mirë dhe e dobishme politike nga ana e partisë demokratike që të organizojë mbledhje të ndjekësve të vetë më të zjarrtë në bulevardin e Tiranës. Me sloganin kundradiktor : Kryengritje paqësore!
Edhe kryengritje edhe pacifiste?
Aq më tepër që përfundojnë me një breshëri krejt të kotë vrundullash uji të derdhura mbi koka dhe trupa opozitarësh, si edhe me lëndë shqetësuese të harxhuara krejt pa vend dhe pa dobi. Nga një makinë hedhëse uji që duket se bën praktikë luftarake, por tragjikisht mbi situata reale dhe trupa realë njerëzish. Nuk e di se cili është kuptimi i mbledhjeve të militantëve më të zjarrtë ku askush nuk mban më fjalime veç një zëri teatral që thotë fraza të shkëputura nxitëse në formë sloganesh, dhe me një ton patetik.
A sjell kjo zgjerim të influencës së partisë në mesin e qytetarëve? A e rrit besueshmërinë e tyre? A është vërtet kjo një kryengritje paqësore që çmonton qeverisje e sotme ndërkohë që ajo nuk ka asnjë propozim realist për shqiptarët?
Këto janë janë pyetje që presin përgjigje, por e kam fjalën gjetiu, pra për atë çka ndodhi në kryengritjen e fundit paqësore në 8 maj.
Duke e ndjekur nga afër vura re dy situata të habitshme, që në mos qofshin pasoja të inateve politike të krerëve të dy palëve që masnin forcat fizike dhe të muskujve në bulevard, të bëjnë të mendohesh për racionalitetin dhe dobinë e veprimeve politike.
Në një çast të ngjarjes, nën shiun kalbëzues tiranas, u hodh parrulla : “Tani dreeeeejt ministrisë së brendshmeeeeeee!”
“Policiaaaaa e kriiiimiiiiit”!
Pyeta veten : Po përse drejt ministrisë së brendshme! Pse ky objektiv që në fakt donte të thoshte ecim drejt, poshtë, bulevardit, nga sheshi i Terezës së shenjtë drejt Skënderbeut? Cili ishte kuptimi politik? Veç faktik që pastaj për pasojë, bashkë me vrundullin e ujit stërvitor mbi trupa realë demonstruesish, largohen edhe ata njerëz të mbledhur nga ana e anës?
Në fakt me vete thosha se ndonjëherë kur më duhet të shkoj drejt qendrës së Tiranës, e shëmtuar, fare rrallë, një herë në dy vjet, nuk i bie nga bulevardi, por herë andej nga ura e vogël e Lanës që del pas kompleksit komercial “Taivani”, ose herë të tjera nga Piramida, pas saj, aty para lokalit “Komiteti”.
Taivani? Pse nga Kina do t’i biem?
Pse ky objektiv politik drejt Ministrisë së brendshme kur je përpara Kryeministrisë? Pse jo drejt Presidencës, Gjykatës Kushtetuese, drejt Universitetit Politeknik, apo drejt ndërtesës së Radiotelevizionit shqiptar? Ku është këtu ndryshimi midis tyre?
Nejse, kjo solli sigurisht një ndeshje spektakolare në bulevard, nën breshërin e vrundullave ujore që hidhte pa kursim dhe krejt kot një makinë që vërtiste mbi kokën e saj dy drita rrotulluese sikur të ishin shkprepje nervore të dikujt të përçartur që qendronte shtrirë në bulevard. Një betejë mes hedhjeve pa kuptim të ujit dhe sjelljes së guximshme, por pa kuptim gjithashtu, të disa deputetëve me imunitet që pasi përplasen me policinë nuk iu hyn asnjë gjemb në këmbë. Në komisariate shkojnë të tjerë.
Cfarë është ky dush i kotë në bulevard, ku veç rrëkeve të shiut që na hedh Zoti nga lart, vertikalisht, na vijnë edhe rrëketë e Pushtetit, ujë që na e hedh pushtetit horizontalisht, duke na zhytur e mbytur të dyja në një katror uji pa dalje?
Këtë mendoja! Si dilet që këndej? Cfarë komardareje shpëtimi na nxjerr nga ky ormuz tiranas?
Dhe më pas thashë me vete: Cfarë ka policia që kot së koti i pengon protestuesit të bëjnë marshimin e tyre në bulevard? Përse i ndëshkon me ujë dhe lëndë dëmtuese ndërkohë ata nuk kanë bërë asgjë të paligjshme? Përse gjithë këto vrundulla uji mbi çadrën me katrorë kuq e zi që mbron kryetarin e opozitës demokratike edhe nga breshëri i ujit nga lart, derdhur nga Zoti, edhe nga shiu i policisë, horizontal tanimë, hedhur nga makina e cmendur me flashe drite brenda kokës së vet nën shi?
Pse lagin me ujë si një letër paketimi nën një shi pranveror kushtetutën, të shkretën, që grrisej mu aty, e squllur, e bërë si një letër që pasi dikush ka mbështjellë bukën, e ka kullufitur atë, hedh letrën e mbështjellëses, ngjyrë kafeje, si të murrme, në bulevard, duke e lënë të squllet nën shi?
Unë e kam një shpjegim, por duhet më shumë vend për ta dhënë. Gjithsesi sociologjikisht e di mirë “teorinë e lojës”. Game theory. Në shoqëri nuk ka veprime të paarësyeshme. Aktorët socialë bëjnë kurdoherë veprime të arësyeshme që të tjerëve iu duken të paarësyeshme. Më duken mua të paarësyeshme veprimet që shoh nga afër në bulevard. Për veten e tyre, dy tre deputetët demokratë që grinden me policët, duke dashur në mënyrën më donkishoteske t’i kthejnë kundër shefave të tyre në mes të shiut në bulevard, policët që gardh me njeri tjetrin shtyjnë deputetët, makina e cmendur që ka flashe vetëtimash në tru dhe mat forcën e saj për ta hedhur fort, lart, rrëketë e ujëta, mbi trupa njerëzish, nën kamera, në një spektakël gjigand, dikush që mban çadrën me katrore kuq e zi, të gjithë aty sigurisht që bëjnë veprime të arësyeshme.
E kam fjalën bëjnë veprime të menduara.
Por, pasojat janë të tjera. E diskrediton qeverisjen e Edi Ramës ky manifestim opozitar në këtë formë në bulevard? Patjetër që po. Së paku vërteton që ato që ngre raporti i BE për shoqërinë dhe shtetin, ka njerëz edhe në Shqipëri që i dinë në lëkurë. Por, me një shtesë të vogël: Në Shqipëri kundër këtij pushteti aktivisht shfaqen vetëm dhjetëra njerëz në shesh që ndeshen fizikisht me makinën që ka flashe drite sa të çmendura aq edhe gazmore lart në kokën e vet, në tru. Dhe këtë propaganda e pushtetit e përdor mirë duke thënë: Ja zgjidhni o raportues, midis nesh dhe atyre? Tjetër mënyrë opozitare në Shqipëri nuk ka? Gjithçka tjetër e fshin me ujë makina e cmendur në shesh nën kamera televizive.
Uji që ajo derdh është krejt i kotë. Aq më tepër kur derdhet mbi kokën dhe trupin e doktor Berishës, se të tjerëve mirë iu bën, një lloj dushi me rroba në bulevard është!
Unë kam qejf të shoh si bëjnë dush me rroba në bulevard deputetët!
Nuk kuptoj vetëm se përse marrin pjesë tre a katër prej tyre dhe të tjerët pas pikave të para të ujit nuk duken më se ku janë!
Gjithsesi një rrëke uji sa e kotë aq edhe qesharake. Por, plot trishtim për gjendjen ku jetojmë ne si qytetarë. Ata lagen në shesh, ne qullemi pa çadra në shi e në të thatë!
Simboli i prijësit ngrihet në imazhet mediatike që derdhen mbi kokat e qytetarëve. Media na hedh nga ekrani një shi mediatik!
Plot flashe të çmendura drite!
Por, nuk besoj se kjo është mënyra. Nuk besoj se ka nevojë doktori të transformohet në një njeri që fytyrën e ka të mbuluar me maskë kundragazi, mbuluar me çadër, nën presionin e rrëkeve me ujë të dala nga tubat e makinës së çmendur, që rrutullon gjithë inat drita mbi dy kokat e saj në bulevard?
Pamje e tmerrshme apokaliptike.
Individi hero, me maskë kundragaz, kundër makinës kuçedër të çmendur!
As në një videogame nuk do të kisha duruar dot të shihja këto pamje të një teknomanie të llahtarshme!
Ndërkohë që shekulli i 21-të po shkon drejt gjysmës. Një betejë që Rilindasit e shekullit të 19-të, po ta dinin, jam i sigurt që do të mendoheshin një shekull tjetër nëse duhej të kërkonin pavarësi apo jo?
Ku janë kandidatët e tjerë që duan të rivalizojnë për kryetar të partisë demokratike? Me siguri nga ndonjë kolltuk i ngrohtë shohin ekranin. Mendoj ndonjë nga ata ose ato që papritur, për t’u barabitur, ngrihet, vendos në kokë një maskë kundragaz, në mungesë të të saj, ngjesh në kokë një kullojsë për makarona, dhe i thotë dikujt si personazh servantesk : Hidhmë ca gota me ujë në kokë!
Dhe në të gjithë këtë skenë, një tjetër më fanepset bashkë me një mendim të trishtuar: Cfarë thonë ata duke parë këtë betejë gjigandësh në bulevard midis individit me maskë kundragazi dhe makinës së çmendur me flashe drite në kokë, që në vitin 2030, ose në vitin 3020, kur të jetë, do të mblidhen për të vendosur nëse Shqipëria do të pranohet ose jo në BE?
Dhe akoma më larg, makina e çmendur në bulevard më dërgon flashe drite: A vërtet janë 98 përqind e shqiptarëve që e duan integrimin? Kurrë nuk vendos dyshim mbi sondazhet, veçse idiote, ato janë edhe të padiskutueshme. Vetëm pyes: Po sikur ata 2 përqind që mbeten të jenë ata që vendosin?
Ndërkaq makina ujëhedhëse, e çmendur, shurrron në bulevard duke pasur flashe drite në kokë!
Nuk kuptohet nëse është e inatosur apo qesh!

Top Channel