Afati për aplikimet për kredi të buta në bashkinë e Tiranës do të shtyhet deri më datë 22 maj, nga data 19 që ishte përcaktuar fillimisht.
Një vendim i tillë u mor në mbledhjen e këshillit bashkiak, për shkak të problematikave me portalin e-albania.
“Për shkak të klikimeve të shumta dhe për shkak të një fluksi aplikacioni pësoi një crash dhe njerëzit nuk patën dot mundësi që të aplikonin. Duke parë ankesat e shumta që kishim në Bashkinë e Tiranës vendosëm që data 19 maj që ishte afati i fundit për aplikime të shtyhet me katër ditë”, tha Dritan Dango, Drejtor i shërbimit social dhe mbrotjes civile.
Deri më tani në fazën e parë ka pasur 2600 aplikime për kredi të buta, por ky numër pritet të rritet në vijim.
“Presim që ky numër të rritet akoma më shumë, ndoshta mund të arrijë deri në 3000 aplikime për fazën e parë sepse më pas kalon në fazën e dytë ku dorëzohet dokumentacioni dhe bëhet përzgjedhja e fituesve”, vijoi Dango.
Kuota e caktuar këtë vit nga bashkia e Tiranës për kredi të buta është 2000. Prioritet më të madh kanë familjet në nevojë, nënat kryefamiljare dhe çiftet e reja. Por nëse ndodh që në fazën e dytë fitojnë të drejtën për kredi më shumë persona se kuota e miratuar, atëherë ka një komision që bën përzgjedhjen.
“Nëse një çift ka të ardhura të barabarta me një vajzë ose grua të cilës I është ndarë nga jeta bashkëshorti dhe ka dy fëmijë, probabiliteti dhe pikëzimin më të madh, pavarësisht se kanë të ardhura të barabarta, probabilitetin më të madh e ka gruaja me fëmijë”, tha Dango.
Pas skualifikimit në fazën e tretë, aplikantët kanë edhe një mundësi të fundit, ku brenda 15 ditëve mund të ankimojnë vendimin në bashkinë e Tiranës duke dhënë argumentet e tyre përse duhet që të marrin një kredi për shtëpi ose të kundërshtojnë arsyen se përse janë skualifikuar.
Top Channel