“Marrëveshja do të vazhdojë për aq kohë sa do Italia”/ Meloni reagon pas deklaratës së Ramës: Faleminderit Edi

13/05/2026 10:31

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni e falënderoi publikisht kryeministrin shqiptar Edi Rama pas sqarimit që ai bëri lidhur me marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për qendrat e emigrantëve në Gjadër.

Një intervistë e ministrit të Jashtëm shqiptar, Ferit Hoxha, në një media të huaj, u interpretua si sinjal për mundësi ndryshimi të marrëveshjes mes dy vendeve. Raportimet shkaktuan reagime të shumta politike dhe mediatike, sidomos në Itali.

“Së pari, marrëveshja është për pesë vjet dhe nuk jam i sigurt që do të ketë zgjatje. Së dyti, nuk do të ketë zgjatje sepse deri atëherë ne do të jemi anëtarë të Bashkimit Europian. Të gjithë kanë bërë të njëjtën llogari. Pasi Shqipëria të anëtarësohet, ky nuk do të jetë më territor ekstraterritorial, por territor i Bashkimit Europian”, deklaroi Hoxha.

Vetë ministri sqaroi më pas se komentet e tij ishin keqkuptuar dhe nuk përfaqësonin ndryshim të qëndrimit të qeverisë shqiptare. Më pas reagoi edhe Rama, duke ritheksuar se marrëveshja me Italinë mbetet plotësisht në fuqi. Në një deklaratë publike, kryeministri shqiptar theksoi se “Protokolli me Italinë do të mbetet në fuqi për aq kohë sa Italia ta dëshirojë një gjë të tillë”, duke synuar të fashisë çdo paqartësi mbi të ardhmen e bashkëpunimit mes dy vendeve lidhur me këtë çështje. Menjëherë pas këtij reagimi, Meloni ndau deklaratën e Ramës në rrjetet sociale dhe e shoqëroi me mesazhin: “Faleminderit Edi”.

Marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për ngritjen e qendrave të emigrantëve në territorin shqiptar Roma e konsideron atë një model të ri për menaxhimin e flukseve të emigrantëve në Mesdhe. Pakti ka marrë vëmendje të gjerë edhe mes vendeve të bllokut europian.

Top Channel