Qershitë po thahen në Ballagat/ Fshati në Fier që krenohej me prodhimin e këtij fruti, sot vuan ndryshimet e klimës

12/05/2026 12:27

Zona e Ballagatit, e njohur historikisht si një nga zonat më pjellorë të pemëtarisë në vend po përballet me një fenomen të tharjes së pemëve të qershisë.

Fruti i qershisë, dikur krenaria e kësaj zone dhe simboli i prodhimit cilësor, po pëson një rënie drastike vit pas viti, duke lënë pemëtoret thuajse bosh në një kohë kur duhet të ishin në kulmin e vjeljes. Fermerët e zonës, të cilët jetojnë me këtë kulturë prej brezash, e lidhin këtë fenomen drejtpërdrejt me ndryshimet e paparashikueshme klimaterike.

Ngrohja e parakohshme e motit që nxit lulëzimin e herët, e ndjekur nga ngricat e befasishme të pranverës, ka goditur rëndë ciklin natyror të pemës. Kjo rënie e prodhimit nuk po prek vetëm xhepat e fermerëve të Ballagatit, por po ndihet edhe te konsumatori, i cili po gjen gjithnjë e më pak produkt vendas në treg dhe me çmime më të larta.

Aktualisht ky frut po shitet nga fermerët me një çmim nga 7 deri ne 10 mijë lekë të vjetra, çmim i cili në tregun me pakicë arrin dy deri tre fish me shume.

Top Channel