Mazhoranca dhe opozita bëhen bashkë në Vlorë për Reformën Territoriale, Mazniku: Duhet të sigurohemi që bashkitë të funksionojnë. Boçi: Të përmirësojmë gabimet e 2014

05/05/2026 21:47

Mazhoranca dhe opozita u bënë bashkë në dëgjesën e ditës së sotme me qytetarët e Qarkut të Vlorës për Reformën Territoriale dhe Administrative.

Të dy kryetarët e Komisionit për Reformën Administrative, Arbian Mazniku dhe Luçiano Boçi shprehën se reforma e re nuk duhet të kufizohet vetëm nga ana territoriale, por edhe në faktin se a funksionojnë dhe si do funksionojnë bashkitë pas reformës.

“Të nderuar kryetarë dhe deputetë është kënaqësi që jemi sot në dëgjesën e katërt për një nga reformat më të rëndësishme, ajo administrative dhe territoriale. Kur një shqiptar mesatar mendon për ndërveprimin me shtetin, mendon me ndërveprimin që ka me bashkinë. Ndaj kur ne i themi njerëzve si funksionon shteti mendojnë bashkinë që e ka afër. Ndaj dhe funksionimi siç duhet, është një ndër ato reforma që prek çdo ditë jetën e çdo njeriu. Ndaj është normale që të jemi sensitiv për një reformë të tillë. Jemi përpara një reforme që bëhet pas 10 vjetësh, e cila është ndër më të suksesshmet që janë bërë në vitet e fundit pasi kaluan nga 373 bashki dhe komuna të cilat s’kishin mundësi të ofronin shërbime të përditshme, në 61 bashki të cilat janë shumë herë më të afta për shërbimet që duhet të ofrojmë. Është një moment që ne mund të shohim si mund t’i bëjmë bashkitë më efikase dhe më efektive. Si mund të gjenerojnë më shumë të ardhura? Territori nuk duhet të jetë i vetmi faktor determinues, pasi shpesh kemi çuar funksione në vende ku nuk ushtrohen dot”, tha Arbian Mazniku.

Boçi më tej shtoi se reforma e re duhet krahasuar me atë të 2014 dhe duhen përmirësuar gabimet që solli ajo.

“Dua ta nis nga një e vërtetë që nuk qenka vetëm kombëtare, por edhe ndërkombëtare dhe faktit që realizojmë dëgjesa është gjë e mirë, por sduhet të mbetet në lavdërinë një procesi. Vazhdoj ta theksoj që komisioni duhet të ketë një konkludim konsensual mes mazhorancës dhe opozitës. Nëse nuk ndodh kjo atëherë këto që po bëjmë tani nuk do vlente fare. Duhet të jemi shumë të saktë. Pse kemi ardhur pas 10 vitesh. Duhet ët bëjmë krahasim me reformën e fundit dhe të bëjmë përmirësime mbi ato”, tha Luçiano Boçi.

Top Channel