Aksidenti tragjik i mori jetën dy vogëlushëve/ Durrësi në zi, protestë në heshtje para Bashkisë: Merrni masa
Autorja dhe moderatorja e Top Story, Grida Duma ka komentuar gjatë një interviste në “Breaking” në Top News, debatin brenda socialistëve, pas kritikave të shprehura publikisht, por edhe në mbledhjet pa media nga Elisa Spiropali dhe Erion Braçe.
E pyetur për kritikat e Spiropalit, Duma thotë se ish-ministrja bën sikur ka shqetësime ideologjike brenda socialistëve.
“Asgjë s’po ndodh në PS, përveç asaj që Edi Rama do që ne të besojmë se po ndodh ndonjë gjë. Nuk ka ndodhi në PS, sepse çdo ndodhi fillon dhe mbaron me fuqinë e mjeteve që ke në dorë. Kur ka ngjarje brenda një partie që është në pushtet, minimalisht, ata që prodhojnë ngjarje, janë ata që kanë administratë të madhe të emëruar nga vetë ata. Që kanë vite që kanë ndërtuar një grupim që dihet që është grupi i tyre, që e propozojnë vetveten me ide e platforma që duken qartazi që i kanë të vetët. Ky nuk është rasti Spiropali. Rasti Spiropali është i shkëputur nga grupi, është i shkëputur nga mjetet e pushtetit. Elisa Spiropali është parë ekselencë, një modus-vivendi, për të bërë sikur ka shqetësime të mëdha ideologjike dhe partiake brenda PS”, thotë Duma.
Sipas saj: “Brenda PS ka shqetësime intrigash. Nuk ka asnjë ngjarje që të çon në politikë. Janë grupe të fuqizuara në 13 vite pushtet, që brenda lëmit të PS, kanë ndërtuar të vetët dhe brenda PS janë intriga të brendshme për më shumë pushtet, para dhe akses te Edi Rama. Si jashtë, ashtu edhe brenda PS, po të dëgjosh njerëz që flasin troç, për një gjë kanë gjithmonë të kujdesshëm, të thonë që nuk e ka Edi Rama fajin. Fajin e kanë ata që po luftojnë me njëri-tjetrin. Shprehja: ‘Më përjashto ti, jo ajo’, është një shprehje që kanë dashur të dalë në publik si mesazh. Unë imagjinoj një pozicion, sa të rrezikshëm për shqiptarët, por dhe të rrezikshëm si logjikë kronologjike për Edi Ramën, që mund ta ilustrojmë sikur është në një dhomë regjie me 200 ekrane dhe është duke parë gjithçka, dhe si marionetë prodhon këtë lojë të madhe. Nëse do të flitej për pakënaqësi të individëve të tjerë që kanë pasur fuqi ose që kanë fuqi në PS, do të kishim situata të tjera. Ata që kanë fuqi, administrata dhe buxhete, janë ata që nuk dihen.
Këtu e kemi të qartë që kemi të bëjmë me një teatër, që po ja servir shqiptarëve si një i gjithëpushtetshëm realisht. Është sindroma dhe simptoma më e keqe për një vend, që ka në pushtet një parti kaq të gjithëpushtetshme. Këto konflikte i ka marioneta dhe ja jep këtu popullit sikur PS i ka brenda edhe teatrin, edhe qeverisjen dhe ja jep popullit si një kongres që erërat po ndryshojnë, por nuk ndryshon asgjë. Askush nuk po e kontrollon dhe nuk e kërcënon Edi Ramën nga brenda. Shqetësimi im për Shqipërinë dhe për zhbalancat në PS janë të mëdha se në PD”.
E pyetur për tezat që ka ngritur deputeti Braçe, Duma ka një tjetër këndvështrim. “Braçe është një protagonist i kësaj ngjarje. Braçe është vaksina më e jashtëzakonshme e PS. Braçe e ka ndërtuar profilin e tij, është aftësia e tij politike. Braçe e çon lojën deri aty ku nuk e cenon në themel Partinë Socialiste dhe e di shumë mirë kush është vija e kuqe. Rama e lejon Braçen të ekzistojë dhe e ka alibi të jashtëzakonshme atë për të thënë: ‘Doni të thoni gjëra? Ja ku e kam Braçen’. Ky moment tjetër është një moment që i jep një show popullit shqiptar që të marrë frymë a thua njësoj me narrativën e opozitës, që po ndodh një gjë e madhe me PS, dhe gjëja më e madhe që po ndodh është asgjë. Pushteti që ka PS me Ramën është një pushtet që do kërkonte kontroll si nga brenda dhe nga jashtë”, shprehet Grida Duma.
Top Channel