Fiks Fare/ “Ta fluturova kokën” tjetër dëshmi për Era Esthetic Academy, akuza për certifikata të parregullta dhe presion ndaj kursanteve

05/05/2026 20:50

Një tjetër denoncim ka mbërritur në redaksi në lidhje me “Era Esthetic Academy”. Pas publikimit të kronikës së parë, një tjetër vajzë tregon përvojën e saj, duke ngritur shqetësime serioze për mënyrën si zhvillohen kurset dhe pajisja me certifikata.

Sipas saj, kursin e ka ndjekur në muajin shkurt të këtij viti, por ende nuk ka marrë një certifikatë të rregullt. Ajo shprehet se gjatë trajnimit nuk ka përfituar njohuritë e duhura dhe se pagesën e ka kryer që në fillim, çka e konsideron sot si gabim.

Vajza ka vënë në dispozicion edhe komunikimet me përfaqësuesen e akademisë, Pranvera Sula, ku i thuhet të presë derisa të ketë një njoftim nga ministria për certifikimin. Por, edhe pas shumë ditësh pritjeje, nuk ka marrë asnjë përgjigje konkrete.

Kur ka kërkuar sërish informacion, ajo pretendon se është përballur me reagime të papërshtatshme, madje i është thënë se i ka shkaktuar “dëm nga suporti moral” që i ishte dhënë gjatë kohës kur ajo po kalonte një periudhë personale të vështirë.

Pas rreth tre muajsh, vajza është njoftuar të paraqitet për të tërhequr certifikatën, por kur e ka parë dokumentin, ka konstatuar parregullsi të shumta. Datat e kursit ishin të pasakta, mungonte emri i babait dhe dokumenti nuk kishte asnjë referencë institucionale apo vulë përkatëse.

E shqetësuar, ajo ka kontaktuar sërish me drejtuesen e akademisë, e cila, sipas saj, e ka etiketuar si “person me probleme mendore”, njësoj si në rastin e mëparshëm të denoncuar. Madje, i është kërkuar të mos telefonojë më dhe është akuzuar se po e bën këtë për shkak të publikimeve në media.

Në përpjekje për të gjetur zgjidhje, vajza është drejtuar edhe pranë shoqatës “Bukuria Shqiptare Beli”, ku, sipas saj, i është thënë se institucioni është në dijeni të rasteve të ngjashme dhe se nuk ka më bashkëpunim me këtë akademi.

Nga ana tjetër, gjatë një telefonate mes përfaqësueses së shoqatës dhe drejtueses së akademisë, kjo e fundit ka justifikuar mungesën e emrit të babait me arsyetimin se kursantja nuk kishte marrëdhënie të mira me të, ndërsa për datat ka deklaruar se nuk ishin dorëzuar materialet përkatëse.

Shoqata ka marrë përsipër korrigjimin e certifikatës, duke premtuar një dokument të ri me të dhënat e sakta.

Megjithatë, konflikti nuk ka përfunduar këtu. Vajza tregon se, kur është rikthyer në ambientet e akademisë për të kërkuar ose një certifikatë të rregullt, ose kthimin e parave, është përballur me kërcënime të drejtpërdrejta.

“Ta fluturova kokën të thuash që nuk ke bërë kurs tek unë. Skizofrene”, i thotè vajzës përfaqësuesja e akademisë.

Top Channel