Reagimet për akademikun, e premtja ditë zie në Kosovë, Gjovalin Shkurtaj: Ishte simbol i gjuhës shqipe, strateg dhe atdhetar Rexhep Qosja ishte një zë i fuqishëm i mendimit kritik dhe mbrojtës i palodhur i çështjes kombëtare, thekson historiani Pëllumb Xhufi, që kujton si akademiku u angazhua për çlirimin e Kosovës që në kohën kur drejtonte Institutin e Albanologjisë në vitet 1972–1981, të cilin e shndërroi në vatër të lëvizjes.
“Ka qenë vatra ku u mbrujt ndërgjegjja kombëtare në nivelin më të lartë dhe ku nisën lëvizjet më të mëdha. Aty nisën edhe lëvizjet e studentëve. Dhe ai tregon se si ditën që mësoi se nisën lëvizjet e studentëve në Prishtinë, donte të shkonte, por tha se pati frikë. Nuk i fshihte as dobësitë e tij”, tha akademiku Pëllumb Xhufi.
Qosja i dha zë protestave studentore të vitit 1981, që u bënë demonstrata gjithëpopullore, ndërsa më vonë luajti rol të rëndësishëm në formësimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Xhufi kujton incidentin në zyrën e tij në vitin 1999.
“Ka qenë ndër të parët që e përqafoi me entuziazëm dhe shpresë të madhe UÇK-në. Ka pasur lidhje me luftëtarët e UÇK-së. Iu rrezikua jeta. Në zyrën e tij në Institutin Albanologjik është portreti i Naim Frashërit i shpuar në një bajonetë, kur në 1999 hynë në zyrën e tij serbët”, tha akademiku Pëllumb Xhufi.
Ndërsa kontributin e Qoses në Konferencën e Rambujesë, që u mbajt në Paris me synim dhënien fund të luftës në Kosovë dhe arritjen e një paqeje afatgjatë, historiani e konsideron vendimtar.
“Ishte një pikë referencë për të gjithë delegacionin, për çdo vendim të matur. Ishte busulla e delegacionit që i thoshte gjërat troç”, tha akademiku Pëllumb Xhufi.
Pas çlirimit të Kosovës, Qosja u angazhua politikisht me themelimin e një partie politike, por më pas u tërhoq për të vijuar krijimtarinë letrare.
“Bashkë me kolegë të tjerë, krijuan një grupim ‘Partia Parlamentare’, me të cilën kërkonte të përfshinte intelektualët në ngjarjet e mëdha që do vinin. Nuk pati ecuri, ai e mori me sportivitet dhe vijoi publicistikën me qëllimin e mirë për t’i shërbyer proceseve”, tha akademiku Pëllumb Xhufi.
Rrënjët i kishte të ngulura fort në vendlindjen e tij, në Vuthaj të Gucisë, ku kalonte pothuajse çdo verë, sipas Xhufit.
“Shkonte aty për një pastrim të shpirtit. Por shkonte edhe për të qenë prezent në atë vend të mrekullueshëm, i cili po zbrazet nga njerëzit”, tha akademiku Pëllumb Xhufi.
Top Channel