Përballja mes Kristian Prengës dhe ish-kampionit të botës Anthony Joshua në Xhedah jo vetëm që do të mbahet mend gjatë për dramën në ring, por duket se ka qenë edhe meçi më fitimprurës në karrierën e boksierit shqiptar.

Ndonëse Joshua arriti të shfrytëzonte përvojën e tij për të fituar me nokaut në raundin e dytë, performanca e jashtëzakonshme e Prengës në raundin e parë ku e dominoi dhe e rrëzoi disa herë në tapet britanikun tronditi të gjithë arenën dhe opinionin sportiv. Përveç respektit të fituar në ring, kjo paraqitje mendohet t’i ketë siguruar shqiptarit shpërblime marramendëse financiare.

Sipas faqeve të specializuara për statistikat dhe fitimet në sportet luftarake, si llogaria e njohur FighterChecks, vlerësohet se Prenga mund të ketë arkëtuar në total rreth 3 milionë dollarë nga kjo super-përballje. Kjo shifër përllogaritet të vijë nga një kombinim i bursës bazë të garantuar, e cila kap vlerën e 1.4 milionë dollarëve, e ndjekur nga të ardhurat prej “Pay-Per-View” (PPV) dhe bonuset e pjesëmarrjes prej afro 500 mijë dollarësh.

Përtej këtyre, mendohet se paraqitja e tij agresive në raundin e parë dhe vënia në vështirësi e kampionit britanik i ka siguruar një bonus shtesë diskrecional prej rreth 300 mijë dollarësh. Pjesa e mbetur e fitimeve llogaritet të ketë ardhur nga kontratat me sponsorët dhe angazhimet e detyrueshme promocionale të eventit.

Edhe pse shifrat zyrtare dhe klauzolat e kontratave të boksit mbeten gjithmonë strikte dhe konfidenciale, një gjë është e sigurt: Kristian Prenga i dhuroi Joshua-s një nga raundet më të vështira të karrierës, duke provuar se i përket elitës së peshave të rënda, dhe u largua nga ky meç me një bilanc financiar rekord për një boksier shqiptar.

Top Channel