“Identitet në Epokën Digjitale”/ Neritan Ceka tregon shfaqjen teatrale të 2300 viteve më parë në Bylis: Skllavi fitoi lirinë kur u strehua te altari i Dionisit

25/07/2026 18:19

“Identitet në Epokën Digjitale”, një projekt i Fondacionit “Dritan Hoxha”, nisi transmetimin këtë shtunë në ekranin e Top Channel nën moderimin e gazetares Sara Hila.

Në episodin e parë, arkeologu dhe historiani Neritan Ceka foli për vijimësinë iliro-shqiptare përmes të dhënave arkeologjike të zbuluara në Bylis, të cilin e cilëson qytetin më madhështor ilir.

Parku arkeologjik u zbulua në vitet ’70 nga Neritan Ceka dhe Lazer Papajani. Është qyteti më i madh dhe më i zhvilluar në Ilirinë e Jugut.

“Qyteti zhvillohej në tre plane. Qyteti ndahej në ishuj banesash, ndërsa sheshi kryesor ku ndodheshin ndërtesat kryesore ishte agoraja. Ndërtimet më të hershme i përkasin shekullit III Krishtit. Banorët e parë të Bylisit vijnë nga fortifikimet urbane. Janë popullsi vendase që sikurse ka ndodhur në Shqipëri, nga fshatrat u krijua qyteti”, u shpreh Profesori.

Një ndër monumentet më të rëndësishme të Parkut Arkeologjik të Bylisit është teatri, që ka pasur një kapacitet prej rreth 7000 spektatorësh. Një skulpturë dhe gjetje të tjera në pjesën e teatrit na tregojnë për shfaqjet që mund të jenë vënë në këtë skenë.

Së pari, mendoj se shfaqja është bërë në ilirisht, pasi për shkak të numrit të madh të publikut, ishte në gjuhën lokale, sepse këtyre vinin edhe nga qytetet më të vogla ilire përreth. Kemi një skulpturë që tregon një aktor që luan rolin e një skllavi. Skllavi fut në sherr të zotit e tij me mikun e tij të ngushtë. Kur i zoti e kupton intrigën, e ndjek skllavin për ta vrarë, por ai strehohet në teatër dhe ulet në altarin e Dionisit. Është një punë e një mjeshtri lokal të shekullit III – II para Krishtit”, shprehet Ceka.

Më tej, arkeologu shpjegon përse stadiumi, cisterna dhe monumentet të tjera të Bylisit kanë elementë krejtësisht ilirë, që janë trashëguar deri ditët e sotme.

Për me tepër, ndiqni intervistën e plotë për “Identitet në epokën digjitale”:

Top Channel