I dyshuar për sulmin terrorist në Berlin, policia vret 21-vjeçarin gjatë tentativës për ta arrestuar

26/07/2026 19:44

Policia gjermane qëlloi për vdekje autorin e dyshuar të sulmit terrorist gjatë Paradës së Krenarisë në Berlin, që la të vdekur një person dhe plagosi 29 të tjerë.

Njësia Speciale e policisë gjermane vrau 21-vjeçarin Abdul Ballout, pasi ky i fundit iu sul efektivëve me një armë të ftohtë. Ai u ekzekutua nga breshëria e plumbave të policisë në kasollen e një banese në Berlin, që thuhet se i përkiste babait të tij.

Të shtunën në mbrëmje, 21-vjeçari hyri me një furgon të bardhë mes turmës së njerëzve, që ishin mbledhur për Paradën e Krenarisë, duke i marrë jetën një gruaje, ndërsa disa prej të plagosurve ndodhen në gjendje të rëndë. Nga hetimet, autoritetet gjermane thanë se bëhet fjalë për një sulm terrorist islamik.

Dinamika e plotë e sulmit nuk është ende e qartë. Një dëshmitar okular, i cituar nga mediat gjermane, deklaroi se “furgoni i bardhë hyri me shpejtësi mbi turmën që po marshonte, duke përplasur disa persona”.

Sipas tyre, autori më pas zbriti nga automjeti duke mbajtur një thikë, me të cilën sulmoi edhe persona të tjerë përpara se të largohej në këmbë. Mbi 40 zjarrfikës dhe dhjetëra ambulanca mbërritën në vendngjarje për t’u dhënë ndihmën e parë të plagosurve, ndërsa zona u rrethua dhe parku u izolua gradualisht nga forcat e sigurisë. Kancelari gjerman Friedrich Merz e cilësoi sulmin si “një akt të neveritshëm” dhe “një sulm ndaj shoqërisë”.

Autori i sulmit, i qëlluar për vdekje nga policia, ishte me shtetësi gjermane dhe origjinë libaneze. Ai ishte liruar në muajin maj nga një qendër rehabilitimi për të mitur dhe, sipas autoriteteve, njihej për lidhje me “rrethe islamiste”, dhe kishte precedentë penalë për agresion dhe shantazh.

Top Channel