“Është kënduar në ritet e lashtësisë, mbetet autentike”/ Trashëgimia shqiptare në Hollyvood, pjesë e suksesit të filmit “Odiseja” Ndërsa letërsia shqipe për fëmijë përballet me probleme të vazhdueshme, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit hapi fondin e krijimtarisë letrare me qëllim mbështetjen e autorëve shqiptarë për t’u ofruar vepra cilësore më të vegjëlve.
“Që një libër të lexohet duhet të jetë i mirë. Duhet që autori të jetë i mirë, duhet që një fëmijë ta lexojë me endje deri në fund. Që t’i kthehet të nesërmen me padurim, duhet që patjetër që libri të jetë i mirë. Për këtë duhet të mbështeten dhe autorët”, tha Arta Marku, drejtoreshë e Qendrës së Librit dhe Leximit. .
Juria e përbërë Flori Kasaj, Rovena Rrozhani dhe Rudina Çupi përzgjodhën mes 17 aplikimeve tre dorëshkrimet më të mira për t’u mbështetur për botim.
I pari është dorëshkrimi “Na quajnë Motrat Qiriazi” e Teuta Toskës, që i njeh lexuesit me misionin e motrave Qiriazi në shërbim të arsimit, gjuhës shqipe dhe identitetit kombëtar.
“Në 28 tetor 1891 kur shkolla u hap, në klasë kishte vetëm dy persona, aq i fortë ishte reaksioni kundër asaj shkolle. Por motrat Qiriazi nuk u dorëzuan. Dhe në fund të vitit, kishin 21 nxënës në klasë”, u shpreh Teuta Toska-shkrimtare. .
Vepra e tij që përfiton nga ky fond është “Tregimet e Kalendarit” e shkrimtares së mirënjohur Adelina Mamaqi, që i shndërrojnë ditët e kalendarit në rrëfime argëtuese dhe edukative, duke nxitur kureshtjen e lexuesve.
“Duke vlerësuar këto libra, dua të them që vlerësohet letërsia për fëmijë, nuk duhet ta quajmë si një çmim personal, por si një sukses i letërsisë”, deklaroi Adelina Mamaqi-shkrimtare..
Ndërsa “Plaku me akullore” e Xhahid Bushatit u vlerësua për përrallat në vargje që ndërthurin natyrën, fantazinë dhe botën emocionale të lexuesve.
“Jam shumë i lumtur sot që së bashku me shkrimtaren ikonë të letërsisë për fëmijë, Adelina Mamaqin, morëm këtë vlerësim”, tha Xhahid Bushati-shkrimtar.
Veç kësaj, shkrimtarja Rudina Çupi kërkoi nga Qendra e Librit të mbështesë autorët me trajnime për të përmirësuar krijimtarinë.
“Një proces tjetër paralel duhet të jetë ai i mbështetjes së autorëve në shkrimin krijues, duhet trajnime nga personalitete shqiptare të kësaj fushe ose të huaj, unë do isha e para që do të shkoja. Mendoj që i vlen shumë shkrimtarëve të rinj për të sjellë atë cilësi që ne shumë shpesh e kemi parë të diskutueshme nëpër faqet e gazetave, sa herë që është dhënë një çmim”, deklaroi Rudina Çupi-shkrimtare. .
Tre dorëshkrimet e përzgjedhura do të shndërrohen në libra përmes një fondi prej 150 mijë lekësh për secilin autor.
Top Channel